Maqedoni

MASh, filloi përpilimi i strategjisë së re 2026-2032

05.06.2025 14:29

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka filluar të përpilojë strategjinë e arsimit 2026 – 2032...

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka filluar të përpilojë strategjinë e arsimit 2026 – 2032, e cila pritet të sigurojë cilësi më të madhe në arsim, duke zhvilluar aftësi më të mëdha digjitale, arritja e barazisë, si dhe përvetësimi i njohurive dhe kompetencave që do t'i përgjigjen tregut të punës, por edhe ndryshimeve globale në arsim.
 
Ky është një proces kompleks, i cili kërkon kohë, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, duke u shprehur se kjo strategji do të sigurojë cilësi dhe inovacion në sistemin arsimor. 
 
“Në strategjinë e re kombëtare do të vazhdojmë të zbatojmë atë që e kemi vlerësuar si të mirë deri më tani dhe do të modifikojmë atë që nuk kanë dhënë rezultatet e pritura nga strategjia e mëparshme dhe do të shtojmë elemente të reja, sepse nuk mund të qëndrojmë në vend, duhet t'i përshtatemi nevojave globale. Pra, ky dokument duhet të sigurojë vazhdimësi në arritjen e cilësisë më të lartë në arsim.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Ambasadorja e Gjermanisë, Petra Dreksler, dhe përfaqësuesit e UNICEF-it dhe UNDP-së vlerësojnë se kjo strategji është fillim i një procesi shumë të rëndësishëm. Janë të sigurt se kjo strategji do të kontribuojë për të arritur rezultatet më të mira në arsim.       
                                                  
“Qeveria gjermane mbështet vendin veçanërisht në procesin e integrimit evropian, modernizimit, por veçanërisht reformave në sistemin arsimor. Qeveria ka përcaktuar se ekziston një nevojë e madhe për zhvillimin e kapitalit njerëzor, këto janë shtyllat specifike që janë më të rëndësishme që procesi i integrimit evropian të vazhdojë. Ajo që është shumë e rëndësishme është zhvillimi i arsimit dhe trajnimit profesional, i cili është një nga elementet kryesore në strategjinë e re që adreson të gjitha ato çështje që lidhen me plotësimin e boshllëqeve në zhvillimin e aftësive, përputhjen e kërkesës dhe nevojat e ekonomisë.”, - theksoi ambasadorja e Gjermanisë në RMV, Petra Dreksler.
 
“Ne jemi optimistë se kjo strategji do të kontribuojë në inovacione dhe do të sigurojë vazhdimësi nga mosha parashkollore deri në përfundimin e arsimit të mesëm dhe se strategjia kombëtare është një mundësi e shkëlqyer për sistemin arsimor për t'u përmirësuar dhe për të qenë në hap me zhvillimet e reja teknologjike, trendet e reja, inteligjencën artificiale dhe për të përmirësuar të gjithë sistemin arsimor.”, - u shpreh përfaqësuesja e UNICEF-it, Leslie Miller.
 
“UNDP-ja është krenare që sot së bashku me partnerët e saj ka mundësi të mbështetë nënshkrimin e memorandumit për bashkëpunim në arsim, pasi që arsimi cilësor paraqet mundësi për zhvillim ndërkombëtar.”, - theksoi Ana Çërneshova nga UNDP.
 
Në strategjinë e re, siç tha Janevska, do të merren parasysh edhe vërejtjet e UNICEF-it se fëmijët në shkollën fillore nuk kanë orë të mjaftueshme në krahasim me mesataren evropiane. Janevska tha se nevojitet optimizimi dhe se duhet të inkorporohet një qëndrim më i gjatë i nxënësve nëpër shkolla.
 
REXHEP QAMILI