Maqedoni

Dita Botërore e Mjedisit Jetësor, Mexhiti: Kërcënimi mjedisor është realitet

05.06.2025 14:46

Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit Jetësor është mbajtur konferenca...

Me rastin e Ditës Botërore të Mjedisit Jetësor është mbajtur konferenca e parë vjetore e titulluar “Së bashku për një mjedis të qëndrueshëm jetësor”, në organizim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.
 
Në fjalimin e tij, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, mes tjerash deklaroi se shoqëria jonë është duke jetuar në një kohë kur krizat mjedisore nuk janë më kërcënime abstrakte, por realitete të përditshme me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik.
 
“Jetojmë në një kohë kur krizat mjedisore nuk janë më kërcënime abstrakte, por realitete të përditshme me ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin publik, sigurinë ushqimore, ekonominë dhe mirëqenien sociale. Rritja e ndotjes në zonat urbane, humbja e biodiversitetit, presioni mbi burimet natyrore dhe pasiguria klimatike kërkojnë një përgjigje të koordinuar, të bazuar në prova dhe një vizion afatgjatë.”, - deklaroi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i MJPH-së, Izet Mexhiti.
 
Qëllimi i konferencës është të inkurajojë dialogun dhe koordinimin midis aktorëve kryesorë: institucioneve publike, partnerëve ndërkombëtarë, komunitetit shkencor, industrisë, sektorit joqeveritar dhe qytetarëve.
 
“Qëllimi është i qartë, të ndërtojmë një qasje të integruar dhe të qëndrueshme ndaj mjedisit, e cila do ta trajtojë atë si bazë të zhvillimit kombëtar. Ne synojmë të ndërtojmë një mekanizëm të qëndrueshëm të menaxhimit mjedisor, që do të matë progresin, do të identifikojë boshllëqet dhe do të riformulojë politikat për menaxhimin e burimeve natyrore.”, - theksoi zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i MJPH-së, Izet Mexhiti.
 
Një këtë konferencë kishte dy panel diskutime, një mbi mbrojtjen dhe menaxhimin e burimeve natyrore dhe i dyti mbi menaxhimin e qëndrueshëm të mbetjeve dhe kalimin në një ekonomi rrethore. 
 
FITIM KRYEZIU