Maqedoni
Tragjedia në Koçan, 12 të lënduar janë ende në trajtim spitalor
05.06.2025 15:03
Nga 200 personat e lënduar nga zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan...

Nga 200 personat e lënduar nga zjarri në diskotekën "Puls" në Koçan, 12 janë ende në trajtim spitalor, ndërsa njëri prej tyre është në gjendje të rëndë, bëri të ditur drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski, gjatë tribunës së sotme në Qeveri, me temën "Koçani është prioriteti ynë".
Ai theksoi se gjendja e të lënduarve po monitorohet vazhdimisht dhe se ka përparim në trajtimin që po ofrohet në spitalet e vendit. Për trajtimin e të lënduarve nga rasti i Koçanit, shteti ka ndarë 30 milionë denarë nga buxheti, të cilat janë përdorur për mbulimin e shpenzimeve të transportit dhe akomodimit të pacientëve dhe personave që i shoqërojnë.
Deri tani janë shpenzuar 21 milionë denarë. Ndërkohë, Kryqi i Kuq ka mbledhur gjithsej 107 milionë denarë, nga të cilat 49 milionë ende nuk janë shfrytëzuar. Sekretari i Përgjithshëm, Sait Saiti, bëri të ditur se aktualisht po hartohet një plan për përdorimin sa më efikas të këtyre mjeteve.
“Së shpejti do t’i kemi edhe rezultatet përfundimtare, pas së cilës Kryqi i Kuq do të veprojë menjëherë në bazë të nevojave reale të të lënduarve. Qëllimi është të jemi sa më objektiv në veprimet tona. Nuk duam të shpërndajmë ndihmën në mënyrë lineare, sepse jo të gjithë kanë nevoja të njëjta, nuk kanë të njëjtën shkallë lëndimesh dhe as të njëjtën gjendje shëndetësore.”, - deklaroi Sait Saiti nga Kryqi i Kuq.
Nga 200 të lënduar nga zjarri në diskotekën "Puls", 187 janë trajtuar në spitale, 116 jashtë vendit dhe 71 në Maqedoni. Aktualisht, pesë pacientë ndodhen ende në spitalet e vendit, ndërsa shtatë të tjerë po vijojnë trajtimin jashtë shtetit.
ARMEND MURSELI
