Maqedoni
Shumica parlamentare, Mexhiti: Po negociojmë me deputetë të Frontit
05.06.2025 15:37
Shumica parlamentare është stabile, por po punohet për ta rritur...

Shumica parlamentare është stabile, por po punohet për ta rritur, theksoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti, i cili bëri të ditur se janë në bisedime me deputetët e Frontit Evropian, pa konkretizuar se me kë. I pyetur nëse mund të jetë duke biseduar me Thaçin, përveç Frontit Evropian, ai është përgjigjur se askush nuk është i përjashtuar.
“Së pari, shumica është e qëndrueshme, e përkushtuar ndaj programit, projekteve dhe zgjidhjes së problemeve të qytetarëve. Së dyti, ka njoftime dhe shumica është në rritje, ne po punojmë për këtë. Do të jeni të informuar, por në parim jemi duke diskutuar me deputetët e Frontit Evropian.”, - deklaroi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Problemi në Inspektoratin e Gjuhëve, Mexhiti: BDI të votojë ligjin
Ai po ashtu informoi se shumica tashmë ka dorëzuar një projektligj, sipas të cilit Inspektorati i Gjuhëve, sikurse edhe inspektoratet tjera, duhet të jetë pjesë e një ministrie. Mexhiti i bëri thirrje BDI-së dhe opozitës që ta votojnë këtë ligj, sepse është më e natyrshme, tha ai, që Inspektorati i Gjuhëve të jetë pjesë e Agjencisë së Gjuhëve.
"I bëj thirrje BDI-së dhe opozitës që ta votojnë këtë ligj, ta zgjidhim problemin me të punësuarit, të marrin paga dhe në fazën tjetër do të punojmë që Agjencia e Gjuhëve të kalojë në të njëjtin nivel si edhe me Agjencinë e Ushqimit, që më pas të marrë Inspektoratin e Gjuhëve, të jetë pjesë e Agjencisë, sepse edhe kur është miratuar, është miratuar me një leks specialist, kështu që është shumë më e natyrshme ai Inspektorat të jetë pjesë e Agjencisë së Gjuhëve se sa pjesë e Ministrisë së Drejtësisë.”, - theksoi zëvendëskryeministri, Izet Mexhiti.
Ndërkohë, Mexhiti njoftoi se VLEN-i do të dalë me qëndrim të unifikuar për nismën për një njësi zgjedhore këto ditë.
ERSAN PAJAZITI
