Maqedoni

Georgiev: Bullgaria nuk ka kushte shtesë ndaj RMV-së

05.06.2025 15:54

Bullgaria mbetet në pozicionet e saja. Nuk do të ketë kushte të reja...

Bullgaria mbetet në pozicionet e saja. Nuk do të ketë kushte të reja për Maqedoninë e Veriut, por kërkohet zbatim i plotë i propozimit francez. Kështu ka deklaruar ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev, sipas të cilit vendi fqinj nuk do të vendosë kushte shtesë për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.
 
“Nuk kemi dhe nuk mund të kemi kushte shtesë apo kërkesa shtesë ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE. Kjo është një sinjal i qartë dhe i mjaftueshëm për qëndrueshmërinë tonë dhe konfirmim i porosive që i kemi dërguar. Besoj se me këtë nga funksioni më i lartë shtetëror në Bullgari, përgjigjemi në të ashtuquajturit shqetësime të partnerëve tanë jashtë kufirit perëndimor, të cilët disa herë i keni dëgjuar të thonë se do ta ndryshojnë Kushtetutën e tyre, por Bullgaria mund të paraqesë kushte tjera. Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë.”, - deklaroi Georg Georgiev nga MPJ i Bullgarisë.
 
Sipas tij, kjo është përgjigjja më e mirë për “shqetësimet” që janë shprehur në Shkup, se Bullgaria mund të vendosë kushte të reja nëse miratohen ndryshimet kushtetuese.
 
Deklarata e shefit të diplomacisë bullgare vjen pas shtyrjes së votimit për raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut në Parlamentin Evropian – me kërkesë të eurodeputetit, Andreas Vajc.
 
Paraprakisht komisionarja për Zgjerim, Marta Kos, ka deklaruar se është e gatshme të ndërmjetësojë për zgjidhjen e çështjeve të hapura mes dy vendeve.
 
Nga ana tjetër, autoritetet në Maqedoninë e Veriut kanë kundërshtuar përpjekjet e disa eurodeputetëve bullgarë, që në raportin për vendin të përfshihen formula që e paraqesin popullin maqedonas si “komb artificial”.
 
BELINDA KOKA ADEMI