Maqedoni

ASh-ja e Taravarit reagon për avancimet në Ministrinë e Mbrojtjes

05.06.2025 16:11

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit shpreh shqetësimin e saj të thellë...

Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit shpreh shqetësimin e saj të thellë lidhur me të dhënat nga Ministria e Mbrojtjes, të cilat, siç thuhet, dëshmojnë për një përjashtim të qartë dhe të pajustifikueshëm të shqiptarëve nga përfaqësimi institucional.
 
Nga gjithsej 120 vendime për emërime në pozita të nënoficerëve, vetëm 14 janë shqiptarë. Një përfaqësim i tillë, jo vetëm që nuk pasqyron realitetin demografik të vendit, por përbën një precedent të rrezikshëm drejt përjashtimit sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore, përfshirë edhe ato të sigurisë kombëtare.
 
Ky zhvillim nuk është rastësi administrative, por vazhdimësi e një politike diskriminuese që, fatkeqësisht, po zbatohet nën petkun e reformave dhe premtimeve për barazi.
 
Ajo që po ndodh është një prirje e rrezikshme drejt margjinalizimit të shqiptarëve nga vendimmarrja dhe strukturat shtetërore, theksojnë nga partia e Taravarit. Ata u bëjnë thirrje përfaqësuesve të koalicionit VLEN dhe drejtuesve institucionalë, që të ndalin menjëherë këtë politikë përjashtuese dhe të rikthejnë respektimin e përfaqësimit të drejtë dhe proporcional, ashtu siç e përcakton Kushtetuta dhe siç e imponon realiteti shumetnik i vendit.