Botë

Shqipëri, do të ketë rinumërim në Tiranë

05.06.2025 16:45

1.282 kutitë e votimit të qarkut Tiranë do të numërohen nga e para...

1.282 kutitë e votimit të qarkut Tiranë do të numërohen nga e para, ashtu siç ndodhi pas zgjedhjeve të 11 majit, një herë për votën e partive, e më tej edhe për kandidatët.
 
Rihapja e të gjitha kutive u bë me kërkesë të të dy anëtarëve demokratë të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve, sipas të drejtës që u jep ligji.
 
PD-ja kërkoi specifikisht edhe rivlerësimin e gati 17 mijë votave të pavlefshme, duke shpresuar të gjejë 1.300 vota në favor të saj, që të marrë mandatin e 14-të.
 
Hapja e kutive u jep një shans verifikimi të gjithë atyre që patën një rezultat të ngushtë, nga të gjitha krahët në garën e brendshme.
 
Ky proces do të ringjallë shpresat edhe për disa socialistë, të cilëve Edi Rama u kërkoi të mos ankoheshin për rezultatin.
 
Në shportën e 433.290 votave të vlefshme, këto diferenca mund të jenë lehtësisht të thyeshme dhe tabloja e fituesve edhe mund të ndryshojë.
 
Nuk ka ende një datë se kur do të nisë rinumërimi i kutive të qarkut të Tiranës dhe as vendi se ku do të bëhet ky proces.
 
Rezultatin e 11 majit, PD-ja nisi ta ankimojë në të gjitha qarqet duke kërkuar pavlefshmëri, por këtë të enjte, KAS-i rrëzoi të parën kërkesë për Kukësin, duke argumentuar se nuk gjeti asnjë provë për ta çuar këtë qark në rivotim.
 
LULJETA NDOKA