Botë

Festa e Bajramit në Gazë, palestinezët përballen me mungesë ushqimesh

05.06.2025 17:04

Përgatitjet për festën e Kurban Bajramit janë të hidhura për palestinezët...

Përgatitjet për festën e Kurban Bajramit janë të hidhura për palestinezët në Rripin e Gazës, të cilët prej kohësh u janë nënshtruar sulmeve të rënda, urisë dhe zhvendosjes së detyruar.
 
Populli palestinez po përgatitet për festën e Kurban Bajramit, pa energji elektrike, ujë, ushqim, si dhe të gjitha nevojat e tjera themelore. Fondacioni humanitar për Gazën ka bërë të ditur se punktet mbeten të mbyllura edhe sot, për shkak të përpjekjeve për sigurimin e qasjes së sigurtë të civilëve, pasi shumë persona janë vrarë afër qendrave distributive.
 
Ndërkohë ShBA-ja i vuri veton një projektrezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që kërkonte një “armëpushim të menjëhershëm, pa kushte dhe të përhershëm” midis Izraelit dhe militantëve të Hamasit në Gazë dhe qasje të papenguar në ndihma në të gjithë enklavën e shkatërruar nga lufta.
 
“Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta, ne nuk do të mbështesim asnjë masë që nuk dënon Hamasin dhe nuk bën thirrje që ai të çarmatoset. Në muajt e fundit, Hamasi ka hedhur poshtë propozime të shumta për armëpushim, përfshirë një të fundit që do të siguronte një rrugë për t’i dhënë fund këtij konflikti dhe për të liruar 58 pengjet e mbetura.”, - deklaroi ambasadorja e ShBA-së në OKB, Doroti Shea. 
 
OKB: ShBA-ja, veto për rezolutën që kërkon armëpushim
 
Në një deklaratë me shkrim, Hamasi dënoi veton me një votë të vetme nga ShBA-ja ndaj rezolutës së paraqitur në KS-OKB për armëpushim në Gazë.
 
"Vetoja e ShBA-së përfaqëson anshmërinë e verbër të Uashingtonit ndaj qeverisë fashiste pushtuese dhe konfirmon mbështetjen e saj për krimet kundër njerëzimit që ajo po kryen në Rripin e Gazës.", thuhet në deklaratë. 
 
“Qëndrimi i ShBA-së është 'dritë e gjelbër' për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanjahu, një kriminel lufte i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.”, thuhet në deklaratën e Hamasit. 
 
Bllokada e ShBA-së vjen në një kohë kur Izraeli i fuqizon operacionet kundër Hamasit dhe fuqimisht e kontrollon ndihmën humanitare të kufizuar.
 
BELINDA KOKA ADEMI