Botë
Festa e Kurban Bajramit në Kosovë, Tërnava bën thirrje për dashuri dhe paqe
06.06.2025 14:08
Në Kosovë, bësimtarët islam sot e kremtojnë festën e Kurban Bajramit...

Në Kosovë, bësimtarët islam sot e kremtojnë festën e Kurban Bajramit, festë kjo e cila simbolizon sakrificën ndaj Zotit dhe humanitetin ndërmjet njerëzve.
Në manifestimin qendror të Kurban Bajramit, që u mbajt në Xhaminë “Sulltan Fatih” në Prishtinë, muftiu Naim Tërnava mbajti ligjëratën para besimtarëve, duke theksuar rëndësinë e sakrificës, bashkimit dhe vlerave familjare. Muftiu Tërnava bëri thirrje për dashuri, drejtësi dhe bashkëpunim në shoqëri, në frymën e Kurban Bajramit.
"Sot jemi mbledhur për të falur Kurban Bajramin, jo vetëm për t’u mbledhur në këtë ditë, aty ku sakrifica bashkohet dhe jetohet. Nuk ka gjë më të bukur kur shpirti gjen qetësinë. Kurban Bajrami na mëson që kërkon sakrificë për ta ruajtur atdheun, për ta ruajtur familjen dhe shoqërinë", u shpreh muftiniu i Kosovës, Naim Tërnava.
Tërnava theksoi se festa e Kurban Bajramit është përkujtim i sakrificës profetike ndaj Zotit si dhe përkushtimit, solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri tjetrit.
“Kurban Bajrami është përkujtim i sakrificës profetike të Ibrahimit a.s., i cili ishte i gatshëm që ta flijonte më të dashurin e tij për hir të Zotit të Madhërishëm, dhe i cili na mësoi se besimi i vërtetë nuk njeh kufij dhe as frikë nga sprovat, por gjen kuptimin më të lartë pikërisht në dorëzimin e plotë ndaj vullnetit hyjnor të Zotit xh.sh. Në këtë ditë, zemrat e besimtarëve mbushen me mirënjohje dhe përkushtim, ndërsa duart e tyre shtrihen në ndihmë dhe bujari, ngase kjo festë është një akt që mishëron frymën e afërsisë me Zotin dhe përgjegjësisë ndaj shoqërisë”, theksoi Tërnava.
Në festën e Kurban Bajramit urime dhe mesazhe kanë përcjellur edhe personalitet politike të vendit.
VLORA LATIFI TOPOJANI
