Maqedoni
Bota islame feston Kurban Bajramin
06.06.2025 14:25
Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot festën e Kurban Bajramit...

Besimtarët myslimanë në të gjithë botën festojnë sot festën e Kurban Bajramit, një nga festat më të mëdha të fesë Islame. Ashtu si në shumë qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, edhe në Shkup, shumë besimtarë u mblodhën nëpër xhami për të falur namazin e Bajramit.
Manifestimi qendror për faljen e këtij namazi u organizua nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut dhe u mbajt në Xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup.
Gjatë ceremonisë u recituan ajete nga Kurani dhe u kënduan ilahi në disa gjuhë. Me këtë rast, kreut i BFI–së, Shaqir Fetahu, u shpreh se këto ditë besimtarët prejnë kurban për hir të Zotit dhe kjo festë dëshmon në praktikë se dashuria dhe madhështia e Zotit është mbi gjithçka.
“Kurban Bajrami të shpreh besimin e palëkundur të sakrifikuar gjithcka, bile edhe më të shtrentën për Allah. Për të dëshmuar në praktikë se dashuria dhe përkushtiumi ndaj madhërisë së tij është mbi cdo gjë tjetër, ashtu sic veproi Ibrahimi A.S. i cili ishte i gatshëm për të flijuar birin e tij Ismailin. Institucioni i Kurbanit është një shprehje konkrete për të kuptuar se nuk ka vepra madhore pa përpjekje dhe flijim madhor. Njeriu vlen aq sa është I gatshëm të ndajë më të dashurën për të tjerët. Andaj festa e Kurban Bajramit nuk është thjesht një ditë feste, por është festë që e edukon besimtarin të jetë bujar, fisnikëron shpirtin dhe zemrën, e bën pjesëmarrës në vepra të mëdha, e nxit të jetë solidar, të ndihmojë të varfërit dhe skamnorët, forcon lidhjet shpirtëerore dhe shoqërore, nxit unitetin në të mirë dhe në vështirësi dhe kultivon paqen dhe dashurinë e bashkëjetesën mes njerëzve”, u shpreh kryetarI i BFI-së, Shaqir Fetahu.
Përveç vizitave tradicionale tek të afërmit dhe gëzimin e fëmijëve me dhurata, Kurban Bajrami karakterizohet me therjen e kafshëve në shenjë devotshmërie ndaj Zotit, një ritual që buron që nga koha e profetëve Ibrahimit dhe Ismailit.
Mes lutjeve, faljes dhe solidaritetit, kjo festë ndër më të rëndësishmet në Islam, mbetet jo vetëm një festë fetare, por edhe një moment reflektimi mbi vlerat që bashkojnë njerëzit – festë respekti, ndihme dhe mëshire për njeri-tjetrin.
FITORE DEMOLLI
