Maqedoni
Kurban Bajrami, krerët politik urojnë besimtarët mysliman
06.06.2025 15:18
Me mesazhet për solidaritet, tolerancë dhe mirëkuptim...

Me mesazhet për solidaritet, tolerancë dhe mirëkuptim, krerët politik i’u drejtuan besimtarëve mysliman në vend në festën e Kurban Bajramit. Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova kërkon që të mbështetemi tek njëri-tjetri, të kultivojmë ndjeshmërinë dhe solidaritetin, dhe me përkushtim të punojmë për mirëqenien e të gjithë bashkëqytetarëve tanë dhe për përparimin e vendit.
“Si festë e dhurimit dhe ndihmës, Kurban Bajrami e thekson fisnikërinë e njeriut, duke na motivuar që të kujdesemi për të gjithë anëtarët e komunitetit. Si shoqëri, gjithmonë jemi dalluar për solidaritetin, unitetin, respektin dhe kujdesin, dhe këtë duhet ta ruajmë dhe ta kultivojmë edhe në të ardhmen”, ka shkruar mes tjerash Siljanovska.
Kryeministri Hristijan Mickoski besimtarëve u ka dëshiruar shëndet të mirë, paqe, mirëqenie dhe harmoni në zemrat dhe shtëpitë e tyre.
“Bashkësia Islame dhe të gjithë besimtarët e saj janë pjesë e këtij shteti, prandaj është e nevojshme t’i shtrijmë dorën njëri-tjetrit dhe t’i respektojmë dallimet, sepse vetëm kështu do të ndërtojmë një shtet me qytetarë të lumtur dhe të kënaqur”, ka shkruar Mickoski.
Ndërkaq kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi në urim potencon se Festa e Kurban Bajramit na e kujton rëndësinë e solidaritetit, mirëkuptimit dhe dashurisë për njëri-tjetrin.
“Kurban Bajrami le të shërbejnë si nxitje për respekt dhe unitet edhe më të madh të ndërsjellë në shoqërinë tonë multikulturore. Kuvendi mbetet një partner i përkushtuar fort në promovimin e lirisë së fesë dhe në ndërtimin e një shoqërie me mundësi të barabarta për të gjithë”, shkruan kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Liderët e partive politike të Koalicionit “Vlen” Izet Mexhiti, Bilall Kasami dhe Zeqirija Ibraimi në urimin e tyre përkujtojnë se kjo festë është një thirrje e fuqishme për të mos harruar të varfrit, jetimët, të vetmuarit e të harruarit nga shoqëria.
“Angazhimi ynë është që asnjë tryezë të mos mbetet bosh, asnjë zë të mos mbetet i padëgjuar dhe asnjë dorë e zgjatur të mos mbetet pa përgjigje. Këtë e kërkon feja, kjo është përgjegjësia jonë njerëzore, dhe ky është premtimi ynë politik”, thuhet në urimin e liderëve të “VLEN”-it.
Edhe kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka uruar besimtarët mysliman.
“Le të na shërbejë kjo festë si moment reflektimi, për të forcuar lidhjet tona shoqërore, për të ndihmuar njëri-tjetrin dhe për të qëndruar gjithmonë pranë atyre që kanë më së shumti nevojë”, shkruan në urim Ahmeti.
Urimet nuk kanë munguar as nga Aleanca për Shqiptarët krahu i Arben Taravarit si dhe Ziadin Selës.
MERAL ISMAILI
