Botë
Jerusalem: Në kushte lufte, palestinezët falin Bajramin
06.06.2025 16:34
Dhjetëra mijëra palestinezë falën namazin e Kurban Bajramit në Xhaminë Al-Aksa...

Dhjetëra mijëra palestinezë falën namazin e Kurban Bajramit në Xhaminë Al-Aksa në Jerusalem, pavarësisht kufizimeve të rrepta izraelite dhe atmosferës së shkaktuar nga lufta e vazhdueshme në Gaza.
Forcat policore izraelite u vendosën gjerësisht në dhe përreth kompleksit të Xhamisë Al-Aksa dhe Qytetit të Vjetër para, gjatë dhe pas lutjeve. Megjithatë, shumë palestinezë nga Bregu Perëndimor i pushtuar nuk mundën të merrnin pjesë në namazin e Bajramit në Jerusalem për shkak të kufizimeve izraelite mbi lëvizjen. Shumë palestinezë të cilëve u është ndaluar hyrja në xhami me urdhër izraelit u panë duke u lutur jashtë portave të saj. Vlerësimet janë se në namazin e Bajramit kanë marrë pjesë rreth 80,000 palestinezë.
Fondacioni Humanitar i Gazës ka mbyllur përsëri të gjitha pikat e shpërndarjes së ndihmave në Rripin e Gazës, duke u thënë palestinezëve të uritur të qëndrojnë larg për sigurinë e tyre. Më herët këtë javë, FHG ndërpreu operacionet për më shumë se një ditë pasi qindra kërkues ndihmash u vranë dhe u plagosën nga ushtria izraelite.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, Lufta e Izraelit në Gaza ka vrarë të paktën 54,677 palestinezë dhe ka plagosur 125,530.
Edhe në ditën e Kurban Bajramit, raportohet se të paktën nëntë palestinezë janë vrarë në sulmet izraelite që nga orët e para të mëngjesit.
FLORIJE KAMBERI
