Tragjedia në Koçan, Qeveria vendos linjë telefonike për mbështetjen e të lënduarve

07.06.2025 13:01

Qeveria ka vendosur një linjë të re telefonike...

Qeveria ka vendosur një linjë të re telefonike, “070 355 526” për t’u ardhur në ndihmë të lënduarve në tragjedinë në Koçani dhe familjeve të tyre. Përmes kësaj linje, ata do të mund të paraqesin drejtpërdrejt kërkesat dhe nevojat e tyre, të cilat pastaj menjëherë do të përcillen te institucionet përkatëse.

Linja do të jetë aktive nga e hëna, më 9 qershor, dhe do të menaxhohet nga Zyra e Kryeministrit.

"Po vendosim një linjë të re telefonike për komunikim të drejtpërdrejtë, e cila do të funksionojë pa ndërprerje dhe do të jetë e qasshme për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre. Kjo linjë nuk do të jetë thjesht një kontakt, por një kanal i gjallë komunikimi, përmes së cilës do të mbahet koordinim ditor, javor dhe mujor, me informim të rregullt dhe me qasje të personalizuar për çdo rast" – tha Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.

Miteva theksoi se kjo iniciativë është rezultat i komunikimit të drejtpërdrejtë në terren të grupit punues për vlerësimin e gjendjes së të lënduarve.

“Jemi të vetëdijshëm se deri tani janë ndërmarrë një sërë aktivitetesh – kujdes shëndetësor urgjent, mobilizim institucional, mbështetje financiare dhe logjistike, por jemi gjithashtu të vetëdijshëm se ka segmente që ende janë të nevojshme.” – tha Miteva.

Ndërkohë Qeveria po shqyrton edhe mundësinë e hapjes së një zyre në Koçan për përmirësimin e kushteve në spitalin lokal, në mënyrë që të lënduarit të mos kenë nevojë të udhëtojnë për çdo ndërhyrje drejt Shkupit.

Në zjarrin që shpërtheu në disko-klubin "Pulse" në Koçani, më 16 mars, humbën jetën 63 persona, ndërsa mbi 200 të tjerë u plagosën. (Armend Murseli, TVM2)