Tryezë e rrumbullakët për sigurinë në rrugë, Todev: Qytetarët të respektojnë sinjalizimin

07.06.2025 17:01

Rritja e ndërgjegjësimit të institucioneve...

Rritja e ndërgjegjësimit të institucioneve për sigurinë e qytetarëve gjatë sezonit veror ishte qëllimi i tryezës së rrumbullakët “Verë turistike e sigurt në Ballkan 2025”, që u mbajt sot në Shkup nën patronazhin e Organizatës Ndërkombëtare Policore në Maqedoni.

Sekretari i përgjithshëm i konfederatës së sindikatave, Goce Dellçev Todev, bëri thirrje për kujdes në qarkullim, duke theksuar rëndësinë e respektimit të sinjalistikës rrugore. "Apelojmë që gjoba të jetë masa e fundit. Qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm, të informuar dhe të shmangin gabimet, duke mos i përsëritur ato. Duhet të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, dhe të mos presin mirëkuptim të tepruar nga zyrtarët policorë." – deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i Konferedatës së Sindikatave, Goce Dellçev Todev.

Todev shtoi se në disa pjesë të rrugëve ka ende tabela të vjetra, ndërsa rregullat për qarkullimin kanë ndryshuar. Todev theksoi nevojën për sjellje të përgjegjshme nga qytetarët dhe udhëtarët e huaj gjatë sezonit veror.

Ai apeloi që drejtuesit të jenë të kujdesshëm me shpejtësinë, pasi rrugët nuk janë të përshtatshme për shpejtësi të larta.

Nikollov: Po përgatiten plane të veçanta

Ndërkohë, në tryezën e rrumbullakët, ekspertë të sigurisë diskutuan për rregullat kryesore dhe dhanë rekomandime për një pjesëmarrje më të sigurt në qarkullim.

“Po përgatiten plane të veçanta me të cilat do të veprohet me prani të zyrtarëve policor, me çka apeli është që qytetarët ta respektojnë sinjalizimin rrugor, vertikale dhe horizontale, shpejtësinë, të pushojnë gjatë udhëtimit, të ndalen dhe të shfrytëzojnë pauza të shpeshta me qëllim që të shmangin ndonjë fatkeqësi” – u shpreh Aleksandar Nikollov, zyrtarë policor.

Ky aktivitet përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet për përmirësimin e sigurisë rrugore dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e sjelljes së përgjegjshme në trafik, si për qytetarët vendas ashtu edhe për të huajt që kalojnë tranzit nëpër vend. (Armend Murseli, TVM2)