Ngërçi në Kuvendin e Kosovës vazhdon, konstituimi i Kuvendit sërish dështon
Ka dështuar edhe përpjekja e 28-të e deputetëve të Kosovës...

Ka dështuar edhe përpjekja e 28-të e deputetëve të Kosovës për konstituimin e Legjislaturës së Nëntë të Kuvendit.
Të gjitha grupet parlamentare të Kuvendit të Kosovës, përpos grupit më të madh parlamentar, Lëvizjes Vetëvendosje nuk e mbështetën krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit.
Vetëm 48 vota ishin “pro” formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, ndërsa kundër dhe abstenime nuk pati.
Zemaj: Kjo është e tepërt
Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj fajësoi “Vetëvendosjen” për ngërçin në Kuvend, duke thënë se kjo që po ndodhë më është e tepërt.
“Kjo është e tepër çka po ndodhë me institucionin e Kuvendit. Ata ose duhet të hapin rrugë ose të krijojnë mundësi dhe mos të vazhdojnë me ngërçin i cili tashmë e ka kapluar edhe njëfar krize, amullia politike edhe në institucionet shtetërore, besa ka reflektim edhe në institucionet lokale” – tha Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj.
Lushtaku: Vetëvendosje synon ta zvarritë procesin
Ndërkohë që edhe nga Partia Demokratike e Kosovës thonë se situata absurde po vazhdon. Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku ka kritukuar Vetëvendosjen duke e quajtur për keqardhje. Tha se Lëvizja Vetëvendosje synon të zvarrisë procesin deri në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në muajin tetor.
“Po shihet qartë se po dojnë me e neglizhu procesin e konstituimit të Kuvendit dhe kështu po trashen në një farë forme problemet e qytetarëve çdo ditë. Është për keqardhje se pse nuk po ka reflektim nga shumica parlamentare. Vetëvendosje e ka si ide zhagitjen e procesit deri pas zgjedhjeve lokale” – tha Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku.
PDK ka kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidaten për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiun, por Albin Kurti ka refuzuar, duke fajësuar opozitën për bllokimin.
Haxhiu ka marrë vetëm 57 nga 61 votat e nevojshme, 48 nga LVV dhe 9 nga komunitetet. Seanca e parë konstituive u mbajt më 15 prill.
Më 15 maj nisën konsultimet me presidenten Osmani për zhbllokimin e Kuvendit dhe formimin sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën. (Armend Murseli, TVM2)
