Kërçovarët filluan aksionet humanitare për banorët e “ Lagjes së trimave”
Kryesia e Bashkësisë Lokale dhe Këshilli i Xhamisë në fshatin Sërbicë, themeluan komisionin për organizimin e aksionit humanitar me të cilin do tu dalin në ndihmë familjeve që përjetuan tmerret e luftimeve në Kumanovë...

Ky aksion zhvillohet nën moton “Për lavdinë e Perëndisë dhe për zbutjen e dhimbjes njerëzore”, ku banorët e fshatit me vullnetin dhe mundësitë e tyre do të ndihmojnë aksionin për familjet e lagjës së trimave nga Kumanova, bëjnë të ditur kryetari i BL të fshatit Sërbicë Isa Neziri dhe imami i fshatit Arif Skenderi të cilët shpresojnë se këtij aktiviteti do ti bashkangjitet edhe diaspora shqiptare.
Një aksion tjetër humanitar për familjet nga Kumanova, realizohet në fshatin Greshnicë, ku Fondi rinor “Xixa” ka filluar grumbullimin e ndihmave materiale të cilat do tu dërgohen banorëve të lagjës së trimave në Kumanovë.
Kryetari i Fondit rinor “Xixa” Vebi Bilalli, nënvizon se mjetet e grumbulluara nga ky aksion, gjatë fundjavës do të dërgohen në Kumanovë. Ky aksion, thotë ai, do të mbështetet edhe nga antarësia e Fondit Rinor “Xixa” në Zvicër. Aksione të ngjashme humanitare kanë paralajmëruar edhe Organizata e komunale e Kryqit të Kuq dhe Muftinia e Kërçovës. (Shaban Dalipi, TVM2)
