Sulme intensive nga Rusia, përshkallëzohet lufta në Ukrainë

07.06.2025 21:38

Edhe këtë mëngjes, ukrainasit u zgjuan...

Edhe këtë mëngjes, ukrainasit u zgjuan mes rrënojave. Me raketa dhe dronë, Kharkivi, qyteti i dytë më i madh në Ukrainë, është nën zjarrin më intensiv që nga fillimi i konfliktit.

Janë regjistruar viktima dhe të plagosur, ndërtesa banimi në flakë në disa lokacione. Nën sulm janë edhe qytete në lindje dhe verilindje të vendit. Forcat ajrore ukrainase pretendojnë se kanë rrëzuar një avion luftarak rus Su-35.

“Sot është një mëngjes i tmerrshëm në Kharkiv. Janë dëmtuar objekte civile – ndërtesa banimi. Tre prej tyre janë goditur drejtpërdrejt. Në të njëjtën kohë, shumë më tepër shtëpi janë dëmtuar nga vala shpërthyese.” – tha Kryetari i Bashkisë së Kharkivit, Ihor Terekhov.

Dje, Moska sulmoi me dhjetëra raketa dhe mbi 400 dronë rajone të ndryshme të Ukrainës, përfshirë kryeqytetin.

Kremlini tha se sulmet janë përgjigje ndaj "sulmeve terroriste të Kievit".

Fundjavën e kaluar, Ukraina kreu operacionin “Rrjeta e Merimangës”, duke goditur infrastrukturën ushtarake ruse. Presidenti amerikan tha se Ukraina i provokoi sulmet dhe i dha Putinit arsye për bombardime.

“Nëse mendoj se Rusia nuk do të arrijë marrëveshje apo nuk do ta ndalojë gjakderdhjen, do t’i përdor sanksionet nëse është e nevojshme. Senatorët kanë një ligj, por kjo varet nga unë, është opsioni im. Pra, jam dakord me këtë. Nuk kam vendosur t’i përdor – është një ligj shumë i fuqishëm.” – deklaroi Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump.

Nga ana tjetër, Zelensky akuzon Rusinë se po i përdor bisedimet për paqe për të shtuar sulmet. Presidenti ukrainas u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë të ushtrojnë presion mbi Moskën.

“Diplomacia duhet të funksionojë, garancitë e sigurisë duhet të vendosen, paqja duhet të rikthehet, dhe për këtë duhen hapa fillestarë, përfshirë edhe ndalimin e zjarrit. Duhet të ushtrojmë presion mbi Rusinë për të siguruar që kjo të ndodhë dhe që sulmet të ndalen.” – u shpreh Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky.

Pavarësisht përpjekjeve në dy raundet e bisedimeve në Stamboll, intensiteti i luftës javët e fundit ka ulur shpresat për një marrëveshje paqesore mes të dyja vendeve. (Armend Murseli, TVM2)