Përleshje gjatë protestës në Los Angeles, Trump dërgon 2.000 trupa të Gardës Kombëtare
Pas përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe autoriteteve...

Pas përplasjeve të dhunshme mes protestuesve dhe autoriteteve të emigracionit është shkaktuar kaos në rrugët e Los Anxhelos. Administrata Trump ka vendosur 2.000 trupa të Gardës Kombëtare.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kërcënoi se do të vendos ushtrinë nëse situata përshkallëzohet. Presidenti Trump e cilësoi protestën si të organizuar nga e majta radikale, e udhëhequr nga provokatorë dhe individë të paguar për të shkaktuar trazira.
“Punë e shkëlqyer nga Garda Kombëtare në Los Anxhelos pas dy ditësh dhune, përleshjesh dhe trazirash. Kemi një guvernator dhe kryetar bashkie të paaftë. Lejet federale janë lëshuar, ata nuk ishin në gjendje të përballonin situatën. Këto protesta të së majtës radikale, të nxitura nga provokatorë dhe shpesh nga njerëz të paguar për të shkaktuar probleme, nuk do të tolerohen. Gjithashtu, nga tani e tutje, nuk do të lejohet që protestuesit të mbajnë maska. Çfarë kanë për të fshehur këta njerëz dhe pse?” – qëndron në postimin e Donald Trump.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Neësom, kundërshtoi vendimin, pasi siç tha kjo vetëm do të rrisë tensionet. Ndërkohë, anëtarët e Kongresit akuzuan se emigrantët po mbahen në kushte çnjerëzore, pa shtretër, ushqim dhe ujë.
“Marrim raportime se anëtarët e komunitetit tonë që janë emigrantë janë ndaluar dhe mbajtur në objekte që nuk janë të destinuara për më shumë se 100 persona. Kemi raportime se janë mbajtur në bodrum, pa shtretër, pa ushqim dhe pa ujë. Disa prej tyre janë mbajtur gjatë natës në dhoma pa dritare” – tha Kongresmeni amerikan, demokrat nga Kalifornia, Jimmy Gomez.
Tensionet në Los Anxhelos nisën të premten, pasi autoritetet filluan bastisje për emigracionin, rritën arrestimet në të gjithë SHBA-në dhe nisën dëbimet masive. Qytetarët dolën në protesta masive, ndërsa autoritetet disa herë tentuan të shpërndajnë turmën me gaz lotsjellës.
“Erdhën të veshur me gjithë pajisjet e tyre ushtarake dhe ndaluan trafikun. I thashë të dashurës sime, ky është emigracioni. Hynin në dyqane dhe filluan të nxirrnin njerëzit jashtë në furgona. Kam një video, kjo është diçka që duhet dokumentuar që të mos na fajësojnë neve si popull, që kinse ne e shkaktuam këtë” – deklaroi Fernando Delgado, dëshmitarë i protestës.
“Në vend që të na kërkonin në mënyrë paqësore të tërhiqeshim, ata filluan të lëshonin gaz lotsjellës. Na kërcënuan me arrestim. Hedhin bomba tymi drejt nesh. Na drejtojnë armë. Ne nuk po bëjmë asgjë. Të gjithë jemi të frikësuar. Ata nuk bënë asgjë tjetër përveçse na bënë të ndjehemi si kriminelë” – u shpreh një protestuese.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë që kur mori detyrën, ka deklaruar disa herë se do të dëbojë 15 deri në 20 milionë njerëz që jetojnë ilegalisht në SHBA. Politikat e ashpra të emigracionit dhe vizat më të kufizuara prekin drejtëpërdrejt studentët dhe banorët që prej vitesh jetojnë dhe punojnë pa shtetësi amerikane. (Armend Murseli, TVM2)
