LSDM akuzon MPB-në për blerje të një softueri për përgjim

08.06.2025 17:32

LSDM akuzon Ministrinë e Punëve të Brendshme...

LSDM akuzon Ministrinë e Punëve të Brendshme për blerjen e një softueri që përdoret për përgjim dhe spiunim të pajisjeve telefonike. Nënkryetari i kësaj partie, Metodija Ilievski theksoi se po rivendosen praktikat e regjimit për kontroll përmes frikësimit dhe përgjimit të gazetarëve, aktivistëve dhe kundërshtarëve të pushtetit. 

Ai ngriti pyetjen pse MPB ka zgjedhur pikërisht një softuer që është i njohur ndërkombëtarisht për skandale dhe përdorim të paligjshëm, dhe nëse kjo nënkupton se do të rifillojnë përgjimet masive pa miratimin e institucioneve gjyqësore.

“Këto janë informacione skandaloze dhe shqetësuese. Pse MPB e zgjodhi softuerin më të dyshimtë, i njohur për një sërë skandalesh. A do të fillojë përsëri përgjuarja masive, dhe atë pa miratime të duhura nga organet gjyqësore? Kush do të kontrollojë dhe si do të kontrollohet ndjekja e palejuar, inçizimi, ndërhyrja në komunikimet e qytetarëve? MPB i ka borxh përgjigje opinionit.” – tha Nënkryetari i LSDM-së, Metodija Ilievski.

Qeveria e mohon: LSDM gënjen, marrëveshja është për licenca forenzike

Ndërkohë, zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, ka mohuar në tërësi akuzat e LSDM-së, duke theksuar se bëhet fjalë për një gënjeshtër të pastër, pasi siç tha pajisja është e destinuar për forenzikë digjitale.

"LSDM është partia politike që, gjatë kohës kur ishte në pushtet, e bleu atë softuer për qëllime forenzike dhe e di saktësisht se ai softuer nuk mund të funksionojë pa licenca. Këto licenca gjithmonë blihen çdo vit, sepse pajisja është e destinuar për forenzikë digjitale. Marrëveshja që përmendin është një marrëveshje kornizë trevjeçare për blerjen e licencave dhe asgjë më shumë se kaq. Imagjinoni, e kanë blerë pajisjen në kohën e tyre, dhe sot dalin në konferenca për shtyp duke shpërndarë gënjeshtra.” – deklaroi Zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.

Zëdhënësja e qeverisë Miteva thotë  se në LSDM mbretëron një mungesë totale e ideve. (Armend Murseli, TVM2)