Të hënën në Kuvend shqyrtohet propozimi i Aliut për Ministër të ri të Shëndetësisë
Kuvendi të hënën do të shqyrtojë propozimin e Qeverisë...

Kuvendi të hënën do të shqyrtojë propozimin e Qeverisë për emërimin e ministrit të Shëndetësisë dhe zëvendësministrit të Bujqësisë. Për ministër të Shëndetësisë propozohet Azir Aliu, ndërsa për zëvendësministër për Bujqësi, Pylltari dhe Menaxhim të Ujërave, Albrim Hoxha.
Nga VMRO-DPMNE thonë se presin që debati në seancën parlamentare të kalojë mirë dhe që zgjedhja e dy anëtarëve të rinj të Qeverisë të bëhet në mënyrë konstruktive.
“Presim nesër një debat konstruktiv në seancën parlamentare në të cilën edhe ne si VMRO-DPMNE do të deklarohemi për gjithë këto çështje” – tha Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
Nga ana tjetër, LSDM dyshon se ministri i 19-të me radhë i Shëndetësisë do ta çojë sistemin shëndetësor në kolaps. Presin zgjidhje dhe rezultate.
“Shëndetësia po fundoset, presim që Qeveria të propozojë kuadër cilësor, Qeveria të propozojë projekt, plan për punë se si do ta përmbush atë që e ka premtuar para qytetarëve” – deklaroi Zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
Azir Aliu do të zëvendëson Arben Taravarin, ndërsa Albrim Hoxha në vend të Flakron Bexhetit.
Javën e kaluar, Mickoski deklaroi se pret bashkëpunim të mirë me Aliun dhe Hoxhën në kuadër të Qeverisë.
Ndërkohë, zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti, e ka vlerësuar Aliun si propozimin më të mirë për ministër të Shëndetësisë. Aliu është pjesë e Aleancës për Shqiptarët, e cila mbetet në koalicionin “VLEN” pas dorëheqjes më 15 maj të këtij viti të Arben Taravarit, i cili vendosi të kalojë në opozitë. Ai arsyetoi këtë vendim duke përmendur çështjet etnike, si Balancerin, ligjin për përfaqësim të drejtë dhe punësimet etnike në institucione.
Megjithatë, pjesa tjetër e Aleancës, në krye me Arben Fetain dhe Azir Aliun, nuk u pajtua me dorëheqjen, duke theksuar se ajo u bë për të mundësuar bashkëpunimin me BDI-në në opozitë. (Armend Murseli, TVM2)
