Maqedoni

Bieber: Shqipëria e Madhe, fantazma që shërben për të krijuar frikë

14.05.2015 15:14

Një Maqedoni e destabilizuar jo vetëm që do të kishte pasoja negative për qytetarët e saj, por dhe për vendet fqinje....

Arsyet për krizën dhe konfliktin e fundjavës në Kumanovë nuk duhet kërkuar tek tensionet etnike por tek sfondi politik. Kështu i vlerëson zhvillimet e fundit në Maqedoni, eksperti i Europës Juglindore Florian Bieber. Ai, në një intervistë për  Dojçe Welle, thotë se Maqedonia po përballet me krizë të vërtetë të demokracisë. 
 
“Sfondi i këtij konflikti është në të vërtetë kriza e demokracisë në Maqedoni. Prej muajsh opozita publikon regjistrime kompromituese të bisedave mes anëtarëve të qeverisë, që tregojnë për korrupsionin, keqpërdorimin e pushtetit dhe manipulimin e mediave e gjykatave. Ndërhyrja e policisë në Kumanovë ngre shumë pyetje. Edhe pse është shumë e vështirë të thuhet se çfarë ndodhi vërtet në Kumanovë, shkaku duhet kërkuar më shumë në krizën e brendshme politike, se në marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni”, thotë Florian Biber. 
 
Në rrethana të këtilla kur nuk nuk dihet nëse qeveria ka përgjegjësi direkte per ngjarjet ne Kumanovë, Biber konsideron që ekzekutivi ka kontribuar për rritjen e klimës së mosbesimit, dhe një linjë nacionaliste që përjashton jo vetëm shumë shqiptarë, por edhe shumë maqedonas.
 
Sjellja jodemokratike e qeverisë, fajësimet e besueshme të opozitës tregon se qeveria prej vitesh e keqpërdor shtetin për të ushtruar pushtetin e saj, shton më tej Biber.  Sipas tij,  qëllimi i grupit të  armatosur në Kumanovë është  ende i pa njohur, megjithatë vlerëson se nuk ekzistojnë interesa të kosovarëve për një konflikt të ri në Maqedoni. 
 
“Ajo që mund të thuhet është se nuk ka interesa të dukshme të grupimeve kosovare që kanë interes për një konflikt të tillë. Gjendja sot është ndryshe nga viti 2001, kur lufta në Kosovë kishte vetëm dy vite që kishte përfunduar dhe e ardhmja e Kosovës ishte e paqartë. Dinamika e sotme është ndryshe nga ajo e para 14 viteve”.
 
Marrëveshja e Ohrit është baza më e mirë për Maqedoninë në kuptim të përmbajtjes substanciale. Ndërsa reagimet e BE-së lidhur me krizën i ka cilësuar të dobëta. 
 
“Edhe pse hapësira e veprimit  të Brukselit është e kufizuar për shkak të bllokadës greke për emrin, që pengon afrimin e Maqedonisë me BE-në, kjo e fundit ka interpretuar situatën kryesisht si një konflikt mes qeverisë dhe opozitës. Në këtë kuptim BE ka çuar ujë në mullirin e qeverisë, për dallim nga  SHBA-të që gjetën fjalë më të qarta në kritikën ndaj Qeverisë", thotë Florian Biber, ekspert për Evropën Juglindore.
 
REXHEP QAMILI