Maqedoni
Zgjedhje parlamentare së bashku me lokalet!? Mickoski: Kjo është paradë për votuesit e BDI-së
09.06.2025 14:19
BDI vazhdon të kërkojë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale...

BDI vazhdon të kërkojë që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen njëkohësisht me ato lokale, por kryeministri Hristijan Mickoski e ka refuzuar këtë kërkesë, duke e quajtur "paradë" për votuesit dhe mbështetësit e BDI-së. Ai theksoi se në qeverinë e re nuk ka vend për një BDI të pareformuar, e cila sipas tij ka pasur 23 vite për të treguar kapacitetin e saj.
BDI: Zgjedhjet e ardhshme referendum për shqiptarët
Ndaj këtyre deklaratave të kryeministrit ka reaguar BDI, duke e akuzuar Mickoskin se, në mungesë të rezultateve konkrete të qeverisë, po merret me urrejtje, përçmim dhe përjashtim të shqiptarëve. Sipas BDI-së, zgjedhjet e ardhshme do të jenë një referendum mes dy rrugëve, një Maqedonie të izoluar dhe të korruptuar dhe një Maqedonie evropiane, të barabartë dhe të bashkuar.
“Thotë se BDI-ja ka pasur 23 vite për të treguar kapacitetin? Po, pikërisht në ato vite, vendi u bë anëtar i NATO-s, u afrua drejt Bashkimit Evropian, ndërtoi modelin më funksional të bashkëjetesës multietnike në rajon dhe kontribuoi në stabilitetin rajonal. Ata gjithmonë kanë qenë kundër çdo progresi strategjik të shtetit, nga Marrëveshja e Ohrit, te NATO e deri te BE. Përçmimi dhe përjashtimi i shqiptarëve ndoshta mund t’i sjellë disa vota radikale brenda partisë së tij, por, ai po mbjell farën e përçarjes që do të rëndojë mbi brezat e ardhshëm.”, thuhet në reagimin e BDI-së.
ASH-Taravari: Ku shkuan “vijat e kuqe” me BDI-në
Ka reaguar edhe Aleanca për Shqiptarët e Arben Taravarit. Nga kjo parti thonë se kryeministri Mickoski nga njëra anë thotë se në Qeveri nuk ka vend për BDI-në e nga ana tjetër bën ministra persona të cilët kanë qenë urë komunikimi për bashkëpunim me këtë parti.
“Pyesim VMRO-DPMNE parimore: Ku shkuan “vijat e kuqe” me BDI-në që i përmendni vazhdimisht në deklarata publike, tani që po sillni në qeveri njerëz që kanë qenë urë lidhëse me BDI-në? Si përfundim, ju falenderojmë thellësisht që me pazaret e hapura që po bëni në sy të popullit, keni kontribuar të forconi Aleancën për Shqiptarët si asnjëherë më parë.”, thuhet në reagimin e Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në 23-vjetorin e partisë në Çair, kërkoi që zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbahen bashkë me ato lokale këtë vit, duke e konsideruar këtë hap të domosdoshëm për stabilitet dhe përparim në vend.
ARMEND MURSELI
