Maqedoni
Gjykata Penale në Strugë, Merko shpallet i pafajshëm për blerjen e veturës
09.06.2025 15:03
Gjykata e Strugës ka liruar nga akuzat kryetarin e bashkisë Ramis Merko për blerjen e makinës luksoze Audi me vlerë 67,000 euro....

Gjykata e Strugës ka liruar nga akuzat kryetarin e bashkisë Ramis Merko për blerjen e makinës luksoze Audi me vlerë 67,000 euro. Sipas gjykatësit Jordan Jovanov, nuk ekziston bazë për përgjegjësi penale ndaj Merkos, dhe për këtë arsye gjykata ka marrë vendim për aktgjykim lirues. Sipas provave të paraqitura për prokurimin publik të automjetit, nuk është vërtetuar se është vepruar në kundërshtim me ndonjë nen të Ligjit për Prokurime Publike ka vlerësuar gjykatësi.
“Në tekstin e aktakuzës thuhet se limiti i lejuar për blerjen e veturave ka qenë 7 milionë denarë, dhe prokurimi është bërë brenda këtij limiti. E gjithë dokumentacioni është në rregull, sepse në fillim është zhvilluar një procedurë që përfundoi me vetëm një ofertë të vonuar, e cila u refuzua. Në procedurën e dytë morën pjesë dy ofertues me dokumentacion të plotë dhe vlerësim të vlerës së automjeteve, dhe janë respektuar të gjitha procedurat.”, u shpreh gjykatësi Jordan Jovanov.
Prova relevante në procedurë, sipas gjykatësit Jovanov, ishte Raporti i Entit Shtetëror për Revizion, i cili ishte ftuar në vitin 2019 për të verifikuar ngjarjet që kishin ndodhur në vitin 2018. Ndaj Merkos janë në zhvillim edhe procese të tjera gjyqësore për emërime të paligjshme të drejtorëve në disa shkolla të Strugës dhe për vendosjen e një pllake përkujtimore në hyrje të ndërtesës së komunës.
FITORE ISTREFI
