Maqedoni

Kuvend, Azir Aliu ministër i ri i shëndetësisë, Albrim Hoxha zv/ministër i bujqësisë

09.06.2025 15:54

Deputetët votuan Azir Aliun për ministër të shëndetësisë, i cili do të pasojë Taravarin pas braktisjes së qeverisë Mickoski...

Deputetët votuan Azir Aliun për ministër të shëndetësisë, i cili do të pasojë Taravarin pas braktisjes së qeverisë Mickoski. Kryeministri tha se propozimi nuk është personal por zgjedhje nga fotografia më e gjerë reformuese e sektorit të shëndetësisë. Mickoski beson në ndryshime të shpejta në shëndetësi.
 
“Në kohën kur disa shtete me një klik marrin diagnozë, ne ende vrapojmë nga sporteli në sportel. Është koha që kjo të ndryshojë. Andaj besojmë se energjia dhe dija e tij do të sjellin dimension të ri në menaxhimin me shëndetësinë.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Aliu u betua se detyrën do ta kryej me nderë, por paraprakisht kritikat e para i morri nga bashkëpartiakët e Taravarit. Deputeti Snopçe, pyeti se propozim i kujt është Aliu, të cilin e cilësoi si jo të besueshëm.
 
“Kemi qenë bashkë dhe ai për shkaqe të njohura vetëm për atë vendosi të mos qëndrojë pran nesh dhe pranë ASH-së. Ai që nuk qëndron pranë teje kur ke nevojë mos i llogarit edhe kur dita është e mirë, sepse miqtë e vërtetë shkëlqejnë  në errësirë, jo vetëm në dritë.”, tha deputeti i ASH-së, Halil Snopçe.
 
Kundërreplika e deputetit Qoku të koalicionit VLEN, lartësoi figurën e Aliut dhe hodhi kritika ndaj Taravarit. 
 
“Zoti Azir Aliu është propozim i VLEN-it në bazë të marrëveshjes që e kemi në fillim të këtij mandati me kryeministrin Mickoski dhe ai përfaqëson sot VLEN – in si subjekt politik. Azir Aliu, mbeti në vijën, në logjikën e asaj që u thur, marrëveshjes që u thur në fillim dhe nuk shkoi si ju të tjerët te BDI – ja.”, U shpreh koordinatori i grupit parlamentar të VLEN-it, Bekim Qoku.
 
Opozita, Fronti Europian dhe LSDM të zhgënjyer për përzgjedhjen sipas tyre jo adekuate, pasi Aliu është inxhinier i shkencave informatike.
 
“Gratis askush nuk të jep pozicione. Është shumë evidente, e tejdukshme se qëllimi është jofisnik, jo parimor dhe nëse mendohet se me një deputet, i ofrohen dy ministra, shihet prej shum larg se cila është arsyeja dhe cili është qëllimi.”, tha deputeti i Frontit Europian, Blerim Bexheti.
 
“Ndoshta do të kishte ndonjë shpresë nëse njeriun do ta zgjidhnit për ministër të dixhitalizimit ose përgjegjës për inovacione dixhitale por për ministër të shëndetësisë është një apsurd. Jeni të vetëdijshëm se ai nuk ka lidhje me shëndetësinë por e arsyetoni se prioritet i kësaj qeverie do të jetë dixhitalizimi i shëndetësisë.”, tha deputeti i LSDM-së, Mile Taleski.
 
Deputetët votuan edhe për Albrim Hoxhën zëvendës ministër i bujqësisë, pylltarisë dhe ekonomisë së ujërave. Sipas kreut të ekzekutivit, Hoxha është përzgjedhje për vendosjen e standardeve të reja në një dikaster që me vite është lënë pas dore me shumë problem dhe zero zgjidhje.
 
MERALE ISMAILI