Maqedoni

MASh inspekton shkollën e vjetër të Norovës, konstatohet se nuk është në gjendje të mirë

09.06.2025 17:17

Оbjekti i shkollës fillore në fshatin Nerovë nuk është në gjendje të mirë...

Оbjekti i shkollës fillore në fshatin Nerovë të komunës së Krushevës nuk është në gjendje të mirë dhe nevojiten ndërhyrje për përmirësimin e kushteve. Kështu kanë njoftuar përfaqësuesit e MASh të cilët kanë inspektuar të dy objektet shkollore në Nerovë, në kuadër të përpjekjeve së bashku me komunën e Krushevës për tejkalimin e situatës së krijuar pas ndërtimit pa leje të objektit të ri shkollorë. 
 
“Përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës inspektuan të dy objektet dhe aktualisht janë duke shqyrtuar opsionet për tejkalimin e sfidës, së bashku me komunën. Objekti ekzistues nuk është në gjendje të mirë dhe nevojiten ndërhyrje për përmirësimin e kushteve. Ndërsa sa i përket objektit të ri, Ministria nuk ka marrë pjesë në punimet ndërtimore dhe as nuk ka mbikëqyrur punimet, kështu që nuk do të mund të jepej pëlqimi për transferimin e fëmijëve atje, duke qenë se nuk dihet nëse janë respektuar të gjitha normat për ndërtimin e një objekti shkollor në të cilin nxënësit duhet të jenë të sigurt. Kjo do të përcaktohet më tej. Ne jemi duke komunikuar me komunën dhe do të njoftoheni.”, njoftojnë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
 
Banorët e fshatit Nerovë të Krushevës nisën ndërtimin e objektit të ri shkollor me vetë financim, për shkak të mungesës së kushteve në objektin e vjetër të shkollës fillore Nikolla Karev, ku ndjekin mësimin mbi 120 nxënësve shqiptarë. Pas ndërprerjes së punimeve me arsyetimin se objekti i ri i shkollës po ndërtohet pa leje, banorët e Nerovës dolën në protesta, ndërsa fëmijët bojkotuan mësimin, me kërkesën që të lejohet vazhdimi i punimeve dhe të gjendet zgjidhje për legalizimin e objektit të ri të shkollës, që fëmijët të mund të mësojnë në kushte normale. MASh dhe Komuna e Krushevës janë zotuar se do të angazhohen për gjetjen e zgjidhjes, ndërsa banorët dhe nxënësit e Nerovës janë në pritje të vendimit. 
 
VLORA LATIFI TOPOJANI