Botë

Trump urdhëroi dislokimin e gardës kombëtare, përshkallëzohet situata në Los Anxhelos

10.06.2025 13:08

Situata në Los Anxhelos është përshkallëzuar ndjeshëm....

Situata në Los Anxhelos është përshkallëzuar ndjeshëm. Përleshje, arrestime dhe dhunë ka pasur në protestat e vazhdueshme të nxitura nga bastisjet e emigrantëve dhe vendimi i presidentit amerikan Trump për të dislokuar Gardën Kombëtare, pavarësisht kundërshtimeve edhe nga autoritetet e Kalifornisë. Shefi i Policisë së Los Anxhelosit, tha se autoritetet janë në gjendje ta kontrollojnë qytetin.
 
“E mbështesim plotësisht të drejtën tuaj për protestë paqësore, por nuk ka tolerancë për veprimtari kriminale nën maskën e saj.”, u shpreh shefi i policisë së Los Anxhelosit, Jim Mekdonel.
 
Pavarësisht reagimeve kreu Trump vendosi të dyfishojë praninë e Gardës Kombëtare në 4 mijë ushtarë dhe të aktivizojë 700 marinsa shtesë për të mbrojtur personelin dhe pronën federale. Duke folur nga Uashingtoni, Trump i quajti protestuesit "nxitës profesionistë dhe kryengritës".
 
“Nëse nuk do ta kryenim punën, ai vend do të ishte në flakë. Do të shohim çfarë do të ndodhë, besoj se e kemi situatën nën kontroll. Ishte shumë keq dhe po shkonte në drejtimin e gabuar. Tani po shkon në drejtimin e duhur.”, u shpreh presidenti i SHBA-së, Donald Trump.
 
Autoritetet lokale akuzuan se qyteti po përdoret si eksperiment. Ata hodhën poshtë pretendimet se Los Anxhelosi ishte pushtuar nga emigrantë të paligjshëm dhe kriminelë.
 
“Ishte krejtësisht e parashikueshme se çfarë do të ndodhte dhe ishte krejtësisht e panevojshme. Ndihem sikur jemi pjesë e një eksperimenti. Një test për të parë se çfarë ndodh kur qeveria federale hyn dhe i merr kompetencat nga shteti apo vetëqeverisja lokale. Nuk mendoj se qyteti ynë duhet të përdoret për këtë. Shpresoj që të na dëgjojnë dhe të ndalin bastisjet. Kjo po krijon frikë dhe kaos në qytetin tonë.”, u shpreh kryetarja e Los Anxhelos, Karen Bas.
 
Protestat u përhapën edhe në San Francisko, Nju Jork, Atlanta, Boston, Dallas dhe qytete të tjera anembanë amerikës.
 
“Të gjithë jemi të lidhur, pa marrë parasysh ku ndodhemi. Vetëm pse ndodhi atje, nuk do të thotë që s’mund të ndodhë edhe këtu – mund të ndodhë kudo në vend. Duhet të ngrihemi kundër kësaj.”, u shpreh Permesh Gusraj nga Nju Jork.
 
“Ndodhemi në një moment kritik në këtë vend. Ka sulme ndaj punëtorëve, ndaj emigrantëve, ndaj shtyllave të demokracisë – ndaj gjykatave tona, sundimit të ligjit dhe respektimit të Kushtetutës.”, u shpreh Mani Pastrajh nga Nju Jork.
 
“Militarizimi i komuniteteve dhe lagjeve tona për të shtypur protestat paqësore do të shërbejë vetëm për të përshkallëzuar, për të ndezur më shumë situatën dhe për të rrezikuar familjet tona.”, u shpreh Krisi Linç nga Boston.
 
Të paktën 56 njerëz u arrestuan gjatë dy ditëve të fundit dhe pesë oficerë pësuan lëndime të lehta, thanë zyrtarët e Policisë së Los Anxhelos, ndërsa rreth 60 persona u arrestuan në protestat në San Francisko. 
 
Ndërkohë Prokuroria e Kalifornisë ka parashtruar padi ndaj administratës së presidentit, me pretendimin se vendimi i tij është i paligjshëm dhe shkel sovranitetin e shtetit federal. Hera e fundit që Garda Kombëtare u aktivizua pa lejen e një guvernatori ishte në vitin 1965, kur presidenti Lyndon Johnson dërgoi trupa për të mbrojtur një marshim për të drejtat civile në Alabama, sipas Qendrës Brennan për Drejtësi.
 
ARMEND MURSELI