Rajon
Prizren, shënohet 147 vjetori i Lidhjes së Prizrenit
10.06.2025 13:25
Himni kombëtar u intonua sot në Prizren, për të shënuar 147-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit...

Himni kombëtar u intonua sot në Prizren, për të shënuar 147-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, tha se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte themeli i lëvizjes për bashkim dhe pavarësi kombëtare. Ai njëherit theksoi se sot Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një Kombi, të cilat ecin përpara krah për krah në rrugën drejt integrimit evropian.
“10 qershor 1878 ishte, është dhe do të mbetet themeli politik dhe shpirtëror i bashkimit kombëtar. Është dita kur filloi lëvizja për pavarësia kombëtare. Shkëndija e kësaj dite ndezi pishtarin e lirisë, por trashëgimia e saj jeton sot në çdo përpjekje për zhvillim, mirëqenie, për bashkim shpirtëror dhe kulturor të shqiptarëve. Lidhja shqiptare e Prizrenit ishte një thirrje për bashkim, për mbrojtje dhe vetëdije kombëtare. Dhjet qershori i vitit 1878 nuk ishte thjesht një mbledhje e prijësve shqiptar, ajo ishte shprehje e krenarisë dhe përkatësisë, e vetëdijes evropiane e popullit me histori të lashtë, kulturë unike e me vullnet politik për të vendosur vet mbi fatet e tij.”, u shpreh Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj.
Te Lidhja Shqiptare e Prizrenit e gjejmë shpirtin kryengritës për mbrojtjen e trevave shqiptare, deklaroi kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
“Ne nuk e kemi ndryshuar kurrë thirrjen e kësaj ngjarjeje të përvitshme e cila thërret Lidhja është gjallë. Lidhja shqiptare u formua si organizatë politike e cila do të artikulonte vullnetin politik të gjithë shqiptarëve karshi vendimeve të kongresit përkatësisht të traktatit të Berlinit. Lidhja do ti jepte zë mendimit politik të Sami Frashërit dhe Pashko Vasës. Për here të parë në një interval disa shekullorë historik, Lidhja po themelonte një kahje të re atë të idesë së bashkimit në ide e përfaqësim e përpjekje të shqiptarëve. Ajo po bashkonte rreth një projekti të vetëm politik kombëtar përtej dallimeve fetare, krahinore, e fisnore, numrin maksimal të shqiptarëve në katër vilajetet e banuara me shumicë shqiptare. Qëllimi ishte një vilajet shqiptar i vetësishëm si njësi unike në hapësirën e Rumelisë siç quheshin territoret evropiane të perandorisë Osmane atë botë.”, u shpreh kryemisnitri i Kosovës Albin Kurti.
Lidhja e Prizrenit ishte një organizim politik i parisë së atëhershme të katër vilajeteve që ishin me shumicë shqiptare në kuadër të Perandorinë Osmane. Ajo u themelua zyrtarisht më 10 Qershor të vitit 1878 në xhaminë Bajraklie të Prizrenit, që ishte qendra e Vilajetit të Kosovës, me qëllim të mbrojtjes së tokave shqiptare.
GYLTENE SINANI
