Maqedoni

Shkarkimi i Idrizit, Kasami: Keqkuptim që do të tejkalohet

10.06.2025 14:41

Deklarata e ministrit Stoilkoviq, se do të propozojë shkarkimin e Idrizit, ka përballur qëndrimet ndryshe brenda koalicionit qeverisës...

Deklarata e ministrit të Marrëdhënieve ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, se do të propozojë shkarkimin e drejtorit të Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve, Arsim Idrizi, pasi ky i fundit në konferencë për shtyp nuk foli në gjuhën maqedonase, ka përballur qëndrimet ndryshe brenda koalicionit qeverisës. Nga koalicioni VLEN thonë se deklarata e Stoilkoviq për shkarkimin e Idrizit është e përshpejtuar. Bilall Kasami thotë se emërimet dhe shkarkimet vijnë nga e njëjta parti.
 
“Emërtimet e funksionarëve bëhen me propozime të partive të cilat e emërojnë dhe është marrëveshje e koalicionit. Mendoj se ndoshta është një deklaratë e përshpejtuar. Sigurisht që i gjithë procesi i bashkëqeverisjes është në bazë të marrëveshjes për bashkëqeverisje të partnerëve të koalicionit. Nuk besoj se ka një marrëveshje për përfshirjen në emërtimet dhe shkarkimet e funksionarëve të partive. Gjithmonë ka kështu keqkuptime midis partnerëve të koalicionit, por besoj se do të tejkalohen. Unë besoj se propozimin e emërimit dhe shkarkimit e bëjnë partitë të cilat i bëjnë propozimet edhe për shkarkim.”, u shpreh Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.
 
Mickoski: I mundur nëse refuzon maqedonishten
 
Por kryeministri Hristijan Mickoski është shprehur se do ta shkarkojë drejtorin Idrizi, nëse ai edhe njëherë refuzon të flasë në gjuhën maqedonase.
 
“Nëse e keni fjalën për momentin ku në kuadër të parlamentit, drejtori nuk u prononcua në gjuhën maqedonase, unë kam biseduar dhe nuk pres që kjo të ndodh. Nëse përsëritet, ai do të shkarkohet.”, tha kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Në një paraqitje televizive ministri Stoillkoviq shprehu bindjen se në seancën e së martës, Idrizi do të shkarkohet. Ai madje tha se mund të ngre iniciativë në qeveri për shkarkimin e tij të menjëhershëm. Kërkesa për ta shkarkuar Idrizin erdhi pasi ai në kuvend fillimisht refuzoi të prononcohej në gjuhën maqedonase, por më pas i’u përgjigj pyetjeve të gazetarëve.
 
MERALE SIMAILI