Maqedoni
Filipçe nga Koçani: Qeveria po fyen prindërit që kërkojnë dinjitet
10.06.2025 15:30
Filipçe kritikoi ashpër qeverinë aktuale për paaftësinë e saj për t'u përballur me pasojat e tragjedive...

Nga Koçani, para qytetarëve dhe anëtarëve të LSDM-së , Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, kritikoi ashpër qeverinë aktuale për paaftësinë e saj për t'u përballur me pasojat e tragjedive, për mungesën e përgjegjësisë dhe për trajtimin brutal të qytetarëve që kërkojnë drejtësi dhe dinjitet. Filipçe theksoi se, qeveria jo vetëm që dështoi të ofronte drejtësi, por dështoi plotësisht edhe në sistemin e kujdesit shëndetësor.
“Çfarë bëri qeveria? Së pari - nuk ofroi drejtësi. Për më tepër - nuk ofroi shërbime shëndetësore. Njerëzit kanë një problem të vërtetë dhe u ofrojnë atyre qendrën 'Ponikva' për një lloj rehabilitimi. Nuk mund të shkosh as me pushime në 'Ponikva', e lëre më të trajtosh probleme kaq të rënda mjekësore. Kjo është edhe një dëshmi se nuk janë të interesuar të ndihmojnë dhe në fund i akuzojnë prindërit se janë të udhëzuar nga ndonjë parti politike.”, u shpreh kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
Filipçe: LSDM mbetet në anën e qytetarëve të Koçanit
Ai nënvizoi se LSDM, nuk ka pasur qëllim të nxjerrë ndonjë përfitim politik nga tragjedia. Sipas tij, LSDM, kishte treguar se çfarë do të thotë veprim politik i përgjegjshëm, pa përpjekje për të përfituar politikisht nga tragjedia.
“Ishim të kujdesshëm, ishim empatikë ndaj njerëzve. Komunikonim privatisht, në mënyrë që të mos na akuzonin për politizim. U takuam me ta, i pyetëm për çfarëdo që kishin nevojë dhe i ndihmuam në çdo mënyrë që mundëm.”, tha Filipçe.
Nga LSDM, u zotuan se do të vazhdojnë të luftojmë që drejtësia të dalë në dritë dhe që qytetarët dhe prindërit të marrin trajtimin e duhur.
FLORIJE BELULI KAMBERI
