Maqedoni
Gostivari për Kumanovën, ndihmat e para mbërritën në “Lagjen e trimave”
14.05.2015 16:02
Vullnetarë nga fshati Debresh, filluan me aksionin për mbledhjen e të hollave dhe elementeve te tjera të nevojshme...

Vullnetarë nga fshati Debresh, filluan me aksionin për mbledhjen e të hollave dhe elementeve te tjera të nevojshme për t'i ndihmuar familjet e dëmtuar në Kumanovë. Stendat ku mund të dorëzohen të hollat janë vendosur në më shumë lokacione të fshatit.
Ky aksion zgjat deri nesër dhe ndihmat e grumbulluara do të dërgohen tek njerëzit dhe familjet në nevojë.
“Edhe unë jam Kumanovë” tha edhe rinia e fshatit Forinë. Nga dita e martë edhe në këtë fshat ka filluar grumbullimi i mjeteve financiare dhe veshmbathjeve për familjet e kumanovarëve të goditur.
Edhe tifo grupi “Kastriotët” nga Gostivari ka filluar një aksion humanitar për t'ua shtruar dorën e ndihmës kumanovarëve të goditur nga të shtënat e fundit në Lagjen e Trimave. Para Pallatit për Kulturë në Gostivar bëhet mbledhja e parave për kumanovarët në nevojë.
Rexhep Azizi nga Kastriotët, thotë se aksioni do zgjas deri të premten e kësaj jave dhe pastaj mjetet e grumbulluara do dërgohen nga vet ata në Kumanovë.
Edhe Myftinia e BFI – Gostivar njofton besimtarët e Myftinisë së Gostivarit se gjatë ditës së nesërme do të organizon aksion për grumbullimin e ndihmave në të gjitha xhamitë e territorit të Myftinisë së Gostivarit.
Veshmbathje, ushqim dhe te holla të grumbulluar në Gostivar nga OJQ “Euro Protekt”, tashmë u janë dërguar banorëve të pësuar nga përleshja e armatosur në Lagjen e Trimave në Kumanovë, ndërsa Shoqata e artistëve figurative DRAUDACUM ka paralajmëruar ekspozita shitëse në disa qytete për këtë qëllim.
Aksionin e kanë përshëndetur edhe qytetarët e Gostivarit. Ata thonë se të gjithë duhet të solidarizohen dhe të ndihmojmë Kumanovën ndërsa shumica donacionin e tyre e bëjnë edhe përmes Kryqit të Kuq dhe linjave telefonike për këtë qëllim.
LULZIM HAZIRI
