Maqedoni

MPB Shkup, rinovohet departamenti administrativ

10.06.2025 15:51

Njësitë e rinovuara për punë administrative në MPB-së ofrojnë tani shërbime moderne dhe cilësore për qytetarët.

Njësitë e rinovuara për punë administrative në MPB-së ofrojnë tani shërbime moderne dhe cilësore për qytetarët. Që në hyrje, qytetarët do të marrin udhëzime për vendin ku duhet të shkojnë, përmes pikave informuese. Ndërkohë që presin ata mund të ndjekin në monitor se kur u vjen radha për t’u fotografuar për dokumentet e tyre personale. Kryeministri Hristijan Mickoski theksoi se me këto përmirësime, nuk do të ketë më turma dhe shtyrje, siç ndodhte një vit më parë.

“Le të kujtojmë se çfarë kemi humbur gjatë gjithë këtyre 7 viteve. Këto hapësira më kthyen një vit më parë kur qytetarët në kaos po merrnin pasaportat e tyre. Tani shikoni një mjedis evropian me ajër të kondicionuar ku qytetarët maqedonas mund të marrin pasaportat e tyre. Ndihemi vërtet këndshëm në këto ambiente të rinovuara prej 1400 m2, shpresoj që rinovimi të fillojë shumë shpejt dhe në fazën tjetër, dhe ato shtyrje dhe turma që na ndodhën nuk do të ndodhin më kurrë.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Edhe ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski, duke njoftuar për përfundimin e renovimit të pjesës më të madhe të njësisë për punë administrative në objektin e RTVM-së, tha se janë në fazën e zbatimit të renovimit të objekteve edhe në njësitë rajonale në të cilat qytetarët do të mund t’i kryejnë më lehtë procedurat administrative.  
 
“Jemi në fazën e zbatimit të një projekti të madh, i cili ka për qëllim të afrojë shërbimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme më pranë qytetarëve. Falë këtij projekti, rreth 150 deri në 200 mijë qytetarë të Maqedonisë do të mund të kryejnë procedurat administrative në komunat e tyre, pa pasur nevojë të udhëtojnë larg. Kjo përfshin komuna si Bërvenicë, Jegunovcë, Saraj dhe Likovë.”, u shpreh ministri i Punëve të Brendshme, Panço Toshkovski.
 
Ndërkohë, shefi i njësisë për punë administrative në Shkup tha se po punojnë në dixhitalizimin dhe vendosjen e një sistemi më efikas për lëshimin e dokumenteve të udhëtimit.
 
“Qeveria është në proces të përgatitjes së një projekti që do t'i mundësojë Maqedonisë të hapë një fabrikë për prodhimin e formularëve të gatshëm të pasaportave në të ardhmen. Pra, qëllimi i shtetit është që Maqedonia të kalojë nga një importuese e formularëve të gatshëm të pasaportave në një eksportuese të formularëve të gatshëm të pasaportave për vendet e tjera në botë.”, u shpreh shefi i njësisë për punë administrative në Shkup, Jovan Altandziev.
 
Hapsira e cila është renovuar ka kushtuar rreth 48 milionë denarë. Autoritet njoftojnë që po bëhen përpjekje që për shërbime më efikase njësitë për punë administrative të dislokohen më afër qytetarëve, në vendet në të cilat jetojnë.
 
ARMEND MURSELI