Rajon

Celibashi: Rinumrimi do të zgjasë rreth 20 ditë

10.06.2025 16:16

Kjo verë nuk do të jetë pushim për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve....

Kjo verë nuk do të jetë pushim për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Pas vendimit për të hapur të gjitha kutitë e Tiranës dhe Fierit, janë mbi 610 mijë fletë votimi që i përkasin 2 qarqeve me numrin më të lartë të votave që rinumërohen.
 
“Vetëm për këto dy qarqe do duhen 18-20 ditë. Do zhvillohet tek Pallati i Sportit Farie Hoti.”, u shpreh kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
 
Për rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 11 majit, komisioneri shtetëror i zgjedhjeve thotë se do të pritet shumë.
 
“Deri nga mesi i gushtit me shumë mundësi do të duhet të presim.”, tha Celibashi.
 
Celibashi thotë se ky proces nuk do të ketë kosto shtesë. Paratë për të përballuar ri-numërimin do të merren nga ajo që teproi nga arka për votën e diasporës.
 
“Nuk do të angazhojë fonde të tjera shtesë, KQZ s’do kërkojë fonde shestë për këtë proces, kemi kursyer fonde nga procesi i votimit nga jashtë. janë tek rreth 1.5-2 mln euro të kursyera vetëm për pagesën e shërbimit postar.”, u shpreh Ilirjan Celibashi.
 
Në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve po shqyrtohen edhe ankimimet e PD për qarqet e tjera, që mund të çojnë në rinumërim.
 
LULJETA NDOKA