Maqedoni

Qeveria: Nga 10 qershori, Ponikva në shërbim të të lënduarve nga Koçani

10.06.2025 16:38

Qeveria ka njoftuar se Ponikva do të jetë qendër rehabilitimi për të lënduarit nga tragjedia e Koçanit...

Në mbledhjen e 82-të të Qeverisë edhe zyrtarisht u miratua informata për nevojën e sigurimit të rehabilitimit në Ponikvë, për nevojat e pacientëve nga tragjedia në Koçan. 
 
“Duke pasur parasysh natyrën e lëndimeve, sidomos tek pacientët të cilët kanë pësuar djegie të rënda, është i nevojshëm kujdes i specializuar dhe afatgjatë, fizioterapia, mbështetja psikologjike dhe mbikëqyrja e vazhdueshme mjekësore. Qendra turistike në Ponikvë, me kushtet e saj natyrore dhe teknike, është vend i përshtatshëm për zbatimin e këtij lloji të rehabilitimit. Nevojat të cilat do të sigurohen kanë të bëjnë me akomodimin dhe kapacitetin terapeutik për pacientët e lënduar, angazhimin e ekipeve mjekësore dhe fizioterapeutike me trajnim të posaçëm në trajtimin e djegieve, ofrimin e mbështetjes psikologjike për pacientët dhe familjet e tyre, si dhe komunikimin e vazhdueshëm me spitalet dhe specialistët që trajtojnë pacientët në fazën akute. Kjo iniciativë do të kontribuojë jo vetëm në rikuperimin fizik, por edhe në stabilizimin psikosocial të personave të lënduar, duke përshpejtuar kështu rikthimin e tyre në jetën e përditshme.”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
 
Vendpushimin Ponikva do të jetë në disponim për nevojat e pacientëve nga tragjedia në Koçan prej 10 qershorit deri më 20 gusht.