Maqedoni

Kumanovë, viti shkollor mbaroi, nxënësit në pushim veror

10.06.2025 17:27

Sot ka përfunduar viti shkollor 2024/25 në rajonin e Kumanovës....

Sikurse në mbarë vendin edhe në rajonin e Kumanovës, në 16 shkolla fillore dhe në 6 shkolla të mesme sot ka përfunduar viti shkollor 2024/25.
 
Ishte ky edhe një vit shkollor, i cili u karakterizua mbase me probleme të ngjashme sikurse vitet e mëparshme, kryesisht rreth infrastrukturës shkollore dhe furnizimit me tekste shkollore.
 
“Gjitha ato peripeti që i ngërthen përfundimi i vitit shkollor bashkë me stafin e shkollës jemi munduar të organizohemi dh eta përmbyllim këtë vit shkollor ashtu si i ka hije një shkolle. Vitin shkollor 2024/25 në shkollën tonë kemi të regjistruar 1.123 nxënës të shpërndarë në 55 paralele, sa i përket kushteve, vazhdimisht punohet, mundohemi t’i përmirësojmë kushtet për nxënësit.”, theksoi mes tjerash, Muhamet Zeqiri, drejtor i ShFK”Naim Frashëri” Kumanvë.
 
Çregjistrimi i nxënësve për arsye të ndryshme, e sidomos për shkak të shkuarjes me prindërit, për shkaqe ekonomike, në vendet evropiane ishte karakteristike edhe sivjet. Por ne ShFK "Naim Frashëri" deri sa 19 nxënës ishin të çregjistruar, kishte 13 të tjerë të ardhur nga Komuna e Likovës.
 
“Fluksi i shpërnguljes ekziston edhe në shkollën tonë, mirëpo nga ana tjetër është një veçori pozitive se edhe shpërnguljet që bëhen nga fshatrat e rajonit të Kumanovës, si shkollë që iu përshtatet më së tepërmi është shkolla jonë, rast konkret kemi kur në vitin shkollor 2024/25 nxënës që kanë marrë flet-shpërngulje janë 19 kurse nga fshatrat e Likovës na kanë ardhur 13 nxënës.”, theksoi, Zeqiri.
 
Vlen të theksohet se sikur çdo vit shkollat pushimin veror do ta shfrytëzojnë edhe për meremetimin e hapësirave shkollore për të krijuar kushte më të mira për Vitin e ri shkollor.
 
FATLUM AQIFI