Maqedoni

Rasti "Vanja Gjorçeskës" kërkohet dënim i përjetshëm për 4 të akuzuar

11.06.2025 14:14

Prokuroria ka kërkuar burgim të përjetshëm për katër të akuzuarit Ljupço Palevski, Vlatko Keshishev, Bore Videvski dhe Velibor Manev...

Prokuroria Publike ka kërkuar burgim të përjetshëm për katër të akuzuarit Ljupço Palevski, Vlatko Keshishev, Bore Videvski dhe Velibor Manev për rrëmbimin dhe vrasjen e 14-vjeçares Vanja Gjorçevska dhe 74-vjeçarit Pançe Zhezovski, që ndodhi në nëntor 2023. Prokurorja Ana Stojkovic Dimitrovska, në fjalët e saj përfundimtare, tha se Prokuroria nuk i kishte marrë parasysh deklaratat e të akuzuarve gjatë përpilimit të fjalëve përfundimtare, pasi që ato nuk përputheshin me provat.
 
“Mund ta imagjinojmë se sa vuajtje pësoi fëmija me katër të panjohur. Të cilët e çojnë diku, pastaj i bëjnë pyetje dhe e vrasin. Vetë fakti që është një fëmijë 14-vjeçar mjafton për burgim të përjetshëm. Dënimi sipas Kodit Penal është nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm. Nuk ka rrethana lehtësuese për të akuzuarit. Të gjithë janë në moshë madhore, të gjithë janë prindër dhe donin të ishin faktor politik. Ata po e traumatizojnë gjithashtu familjen dhe publikun me mohimet e tyre të provave dhe manipulimet. Shërbimi i Prokurorisë Publike kërkon burgim të përjetshëm për të katër. Marrja e jetës së një fëmije nuk tolerohet.”, theksoi prokurorja publike në fjalët e saja përfundimtare.
 
Sa i përket babait të Vanjës, i akuzuar në këtë rast, prokuroria thekson se provat e kanë dëshmuar se ai ka qenë pjesëmarrës në krim dhe se kërkojnë që ai të shpallet fajtor. Ndërkohë, mbrojtja konsideron se prokuroria është kontradiktorë dhe se babai i vanjës, Aleksandar Gjorçeski nuk përmendet si pjesëmarrës në krim.
 
“Fjalët përfundimtare të prokurorisë i vlerësoj si kontradiktorë sepse në një far mënyre, drejtpërdrejt e përshkruan planin dhe veprimet e të akuzuarve të tjerë me të cilat prokuroria dëshmon se këto persona kanë pasur plan paraprak se nga grabitja e parë kanë hequr dorë. I shpjeguan arsyet se pse dhe se realizimi i planit ka përfunduar të hënën. Askund nuk është përmendur babai apo çfarëdo lloj lidhje me të sa i përket kryerjes së veprës penale.”, tha avokati Vlladimir Tyfegxhiç.
 
Ndërkohë, prokuroria pretendon se të gjitha provat, përmes analizës logjike, konfirmojnë se të akuzuarit i kanë kryer veprat për të cilat ngarkohen dhe se janë përgatitur për një kohë të gjatë. Edhe përfaqësuesit ligjorë të familjeve të Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezovski deklaruan se i pranojnë plotësisht fjalët përfundimtare të Prokurorisë Publike, dhe se i bashkohen ndjekjes penale dhe kërkojnë kërkesë për dëmshpërblim.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI