Maqedoni
Provimet e maturës shtetërore, 15 mijë maturantë testohen në gjuhën angleze
11.06.2025 15:15
Rreth 15 mijë maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar testit të dytë në gjuhën angleze...

Rreth 15 mijë maturantë në të gjithë vendin i janë nënshtruar testit të dytë në gjuhën angleze, edhe në shkollën e mesme “Cvetan Dimov” rreth 250 maturantë i janë nënshtruar këtij testi. Ata shprehen të kënaqur nga ky test dhe presin rezultate pozitive.
“Kaluam shumë mirë, ishim të përgatitur për këtë test, paraprakisht testin që patëm në shqip kishim pak stres normal, por me faktin që e kaluam sfidën e parë, për të dytën jemi përgatitur edhe më mirë. Edhe me faktin që anglisht gjenerata e sodit e flasim shumë mirë, edhe e bëmë mirë këtë test.”, u shpreh një maturant.
“E kaluam shumë mirë testin, kishim pak stres por e dinim se është gjuhë internacionale dhe duhet ti dimë, kemi pak njohuri prej rrjeteve sociale për gjuhën angleze dhe nuk ishte shumë vështirë. Jo nuk ishin të vështira jemi përgatitur prej profesorëve një javë më herët.”, u shpreh një maturante.
“Shumë mirë, kemi pas pak stres, por e kemi kaluar me sukses shpresojmë.”, u shpreh një maturante.
“Në provim sot kalova shumë mirë, pyetjet nuk ishin aq të vështira, na kanë ndihmuar profesorët dhe besoj që do të marr notën e mirë.”, u shpreh një maturant.
“Sot ishte pjesa e dytë sa i përket maturës shtetërore, konkretisht është pjesë e cila i takon zgjedhores, nxënësit tonë pothuajse të gjithë e kanë zgjedhur gjuhën angleze sepse e kanë pasur lëndë bazë gjatë shkollës së mesme. Realizimi i testit gjithçka në rregull ishte, nuk ka pasur probleme, parregullsi dhe nxënësit shumica prej tyre dolën të kënaqur nga testi.”, u shpreh një arsimtar.
Sipas të dhënave nga QSHP, 9,969 maturantë u regjistruan për gjuhën maqedonase, 4,339 për gjuhën shqipe, 292 për gjuhën turke dhe 10 nxënës për testin e gjuhës serbe.
VLORA LATIFI TOPOJANI
