Maqedoni

Inspektorati për përdorimin e gjuhëve, Mickoski: Shohim plane për transferin e pagave

11.06.2025 15:29

Pagat e të punësuarve në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve mbeten të ngrira...

Pagat e të punësuarve në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve mbeten të ngrira, pasi Fronti Evropian refuzon të mbështesë ndryshimet të cilat parashikojnë kalimin e Inspektoratit nën ombrellën e ministrisë së drejtësisë. Kryeministri Hristijan Mickoski ftoi opozitën që të mbështesë ndryshimet ligjore dhe të punësuarit të marrin pagat. Kryeministri nuk përjashtoi mundësinë që të shqyrtohen plane të tjera për gjetjen e zgjidhjes.
 
“Normalisht se mendojmë për plane, nëse nuk bëhet kështu do të bëhet ndryshe, ose do të ketë një plan të tretë. Kjo është normale. Nuk mund ti lemë njerëzit pa rroga tanimë gjashtë muaj. Nëse dikush nga opozita shqiptare apo opozita në përgjithësi ka vendosur që të mbijetojë mbi këta njerëz, ne këtë nuk mund ta lejojmë. Ne jemi qeveri e të gjithë qytetarëve dhe do të bëjmë gjithçka që është në fuqinë tonë që kjo të tejkalohet.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Shumica parlamentare, Mickoski dhe Kasami paralajmërojnë zgjerimin
 
Që të votohet ndryshimet ligjore për Inspektoratin për Përdorimin e  Gjuhëve nevojitet badenter. Kryeministri nuk përjashton mundësinë e zgjerimit të shumicës parlamentare që të tejkalohen problemet e sigurimit të badenterit.
 
“Është logjike se po bisedojmë, por opinioni do të informohet në kohë për gjithçka që do të arrihet. Tani nuk dua të hyj në procesin e spekulimeve.”, u shpreh Mickoski.
 
Edhe Bilall Kasami nga koalicioni VLEN tha se koalicioni qeverisës është në bisedime me disa parti pjesë e Frontit Europian dhe sipas tij shum shpejtë do të ndodh zgjerimi.
 
“Më konkretisht jemi në bisedime me disa deputetë dhe parti politike të cilat më herët kanë qenë pjesë e Frontit Europian, të cilat shpejtë do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës dhe disa nga pozicionet që I ka pasru më herët koalicioni VLEN, tani I kemi të parapara që ti plotësojmë me kuadro të këtyre partive apo deputetëve të cilët do ti bashkangjiten koalicionit.”, u shpreh Bilall Kasami nga koalicioni VLEN.
 
Sipas Kasamit është një proces i bisedimeve rreth pozicioneve të cilat partitë e deputetëve opozitar do ti marrin në qeveri. Sipas Kasamit bëhet fjalë për deputetë shqiptarë dhe të komuniteteve të tjera.
 
MERALE ISMAILI