Maqedoni

Përgjegjësia e shefave të policisë për Koçanin, Janev: Dëshmitë i janë dorëzuar Prokurorisë

11.06.2025 15:41

Të gjitha dokumentet dhe dëshmitë për tragjedinë në Koçan janë dorëzuar në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit...

Të gjitha dokumentet dhe dëshmitë janë dorëzuar në Prokurorinë për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, e cila është kompetente për hetimin për tragjedinë në Koçan, tha drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, duke u përgjigjur në lidhje me përgjegjësinë e shefave aktualë të policisë nga Koçani dhe Shtipi.  
 
“Në Koçan të mos keni dilemë, rasti është i ndarë në dy pjesë. Njërën e udhëheq ekip nga Prokuroria Themelore Publike, nën drejtimin Prokurorisë Publike Koçan, ndërsa pjesën e dytë që ka të bëjë me persona zyrtarë, të tanishëm apo të kaluar e udhëheq Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Ne si organ gjithçka çfarë është kërkuar, madje edhe ato që nuk janë kërkuar, janë dërguar në këtë prokurori.”, u shpreh drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev.
 
Prokuroria heton Nacevin për zjarrin në Koçan, Mickoski: Nacev ka qenë zyrtar i VMRO-së
 
Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski inkurajoi Prokurorinë që të vazhdojë punën dhe të konstatojë nëse dikush tjetër është përgjegjës për zjarrin në diskotekën “Pulse” të Koçanit, ku humbën jetën 62 të rinj dhe rreth 200 u lënduan. I pyetur se çfarë lidhjesh ka Nacev me strukturat partiake dhe udhëheqjen e VMRO-DPMNE-së, Mickoski tha se Nacev ka qenë zyrtar në qeverinë e VMRO-DPMNE-së.
 
“Aleksandar Nacev ka qenë pjesë e qeverisë së VMRO-DPMNE-së në vitet 2016-2017 dhe ka pasur ndonjë funksion në atë periudhe dhe kjo është çështja e fundit që e di ose e ndërlidh Aleksandar Nacevin me VMRO-DPMNE-në dhe e inkurajojë Prokurorinë që të vazhdojë edhe më tej të punojë dhe nëse për këdo mendojnë se ka çfarë do përgjegjësie për tragjedinë në Koçan të veprojnë, ne do t’iu ndihmojmë.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
 
Përndryshe Nacev akuzohet për krime të rënda kundër sigurisë publike. Sipas Prokurorisë Publike, Nacev është pronari i vërtetë i agjencisë Rubikon, e cila në atë natë fatale ka siguruar lokalin. Ai gjatë gjithë kohës e ka menaxhuar sipërmarrjen afariste, së bashku me menaxherin tashmë të dyshuar dhe personin e autorizuar të filialit në Koçan. Pa kontratë të nënshkruar për vitin 2025 e ka siguruar diskotekën dhe janë shkelur edhe disa nene të Ligjit për Sigurinë Private. Sipas Prokurorisë ata nuk bënë një vlerësim sigurie dhe plan sigurie, as një plan evakuimi.
 
ERSAN PAJAZITI