Maqedoni

Eurointegrimet, Mickoski: Osmani goditi drejtpërdrejt identitetin Maqedonas

11.06.2025 15:53

Qëllimi i Sofjes zyrtare nuk është futja e bullgarëve në Kushtetutë....

Qëllimi i Sofjes zyrtare nuk është futja e bullgarëve në Kushtetutë. Bëhet fjalë për një përpjekje për të krijuar një komb maqedonas të ri, i cili përdor një gjuhë të re maqedonase, që gjoja bazohet në rrënjët bullgare, vlerëson kryeministri Hristijan Mickoski. Sipas tij, këtë e dëshmon edhe reagimi i fundit ndaj raportit të raportuesit për vendin në Parlamentin Evropian, Thomas Waitz. Mickoski thekson se kush nuk e kupton këtë, ose është analfabet politik, ose nuk duhet të merret me politikë.
 
“Këtë e dinte shumë mirë Bujar Osmani. Ai e dinte saktë çfarë po bënte. Drejtpërdrejt vendosi thikë në mushkëritë e identitetit maqedonas, dhe këtë nuk do ta harrojmë as kur të pranojmë propozimin francez. Ai nguli thikën në identitetin maqedonas, por ne do të luftojmë. Kudo do të luftojmë dhe efektet e asaj lufte tashmë janë të dukshme.”, tha kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Mickoski shtoi se qytetarët maqedonas nuk do të lejojnë që përsëri t’i vihet gozhdë identitetit të tyre. Ai bëri thirrje që më 24 qershor Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Evropian ta miratojë raportin e Waitz-it, në të cilin përmendet identiteti i veçantë maqedonas dhe gjuha e veçantë maqedonase. Deri tani, nuk ka asnjë konfirmim për një takim të mundshëm mes delegacioneve maqedonase dhe bullgare në samitin e NATO-s në Hagë.
 
ARMEND MURSELI