Rajon
Arrestimi i Spahiut në Serbi, autoritetet e Kosovës kërkojnë lirimin e tij
11.06.2025 16:16
MPJ e Kosovës ka reaguar pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu...

Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës ka reaguar pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu, më 7 qershor 2025 nga autoritetet serbe në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, duke kërkuar lirimin e tij.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, përmes Zyrës Ndërlidhëse në Beograd, ka njoftuar për rastin misionet diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Beograd, dhe të gjithë Trupin diplomatik në Kosovë. Në mënyrë të veçantë, po mbahet komunikim i rregullt me Ambasadën e Republikës Federale të Gjermanisë, duke marrë parasysh se z. Spahiu ka qëndrim të rregullt në Gjermani”, tha ajo.
Kosova do të vazhdojë t'i shfrytëzojë të gjitha kanalet diplomatike në dispozicion për të siguruar që kjo padrejtësi e radhës ndaj një shtetasi të Kosovës të marrë fund, dhe që Spahiu të lirohet sa më parë, thonë nga Minsitia e Jashtme e Kosovës. Ka reaguar edhe zyra e presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Spahiut. Edhe partitë opozitare në Kosovë kanë kërkuar lirimin e Spahiut, për çka kërkuan angazhim edhe nga qeveria e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.
“Qeveria dhe instititucionet do të duhej që aktivisht të merreshin me lirimin sa më të shpejtë të Arbnor Spahiut. Thërras me këtë rast edhe bashkësinë ndërkombëtare që të ndërhyjnë të ushtrojnë presionin e tyre për të liruar këtë djal të Kosovës I cili atje po mbahet në mënyrë arbitrare dhe të pa drejtë.”, u shpreh kryetar i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Në emër të LDK-së tu bëj thirrje të gjitha institucioneve vendore dhe ndërkombëtare që të angazhohen për lirimin e menjëhershëm të ish zyrtarit tone policior. Ai është një qyteatar I Kosovës dhe si institucione e kemi për borxh që të angazhohemi maksimalisht dhe posaçërisht atëherë kur bëhet fjalë për qytetarë të Ksovës dhe shtetin e serbisë.”, tha Jehona Lushtaku nga LDK.
Spahiu po udhëtonte me familjen nga Austria drejt Kosovës kur u ndalua dhe arrestua. Më 9 qershor, Spahiu doli para gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën e Qarkut në Suboticë, e cila urdhëroi një muaj paraburgim për gjoja kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë” në fshatin Basnjkë në veri të Kosovës më 24 shtator 2023, në sulmin e grupit terrorist të Millan Radojçiqit, ku u vra pjesëtari i policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe tre pjesëtar të grupit terrorist serb. Por ministria e Brendshme e Kosovës ka konfirmuar se Spahiu ka përfunduar shërbimin në Policinë e Kosovës në vitin 2022.
GYLTENE SINANI
