Botë

Austria në zi, tri ditë zie kombëtare pas masakrës në Graz

11.06.2025 16:44

Tri ditë zie kombëtare janë shpallur në Austri pas masakrës tragjike në shkollën në Graz...

Tri ditë zie kombëtare janë shpallur në Austri pas masakrës tragjike në shkollën në Graz, ku u vranë 11 persona, në mesin e të cilëve edhe një vajzë nga Kosova, konkretisht nga komuna e Vitisë. Në oborrin e shkollës, familjarët e pikëlluar dhe qytetarët vazhdojnë të shprehin nderimet dhe dhimbjen e tyre për viktimat.

“Më dhemb fakti që vajzat dhe djemtë e rinj nuk do të kthehen kurrë më, që kanë përjetuar ditën më të tmerrshme të jetës së tyre, thjesht është shumë e dhimbshme.”, u shpreh studentja Kiara Komleniç.
 
“Kjo na tronditi të gjithëve. Veçanërisht të rinjtë, sepse ata ende kanë lidhje të drejtpërdrejtë me shkollën. Fakti që ndodhi në shkollë, në një ambient të sigurt, është çmenduri.”, u shpreh studentja Klara Arct.
 
Në sheshin e qytetit, mijëra qytetarë mbrëmë me qirinj shprehën ngushëllime për familjet e viktimave.
 
“Familje të viktimave! Nuk jeni vetëm, ne jemi me ju. I gjithë bota na sheh. Kjo na jep forcë. Në kohë të tilla, duhet të qëndrojmë të bashkuar.”, u shpreh një nxënës nga shkolla e mesme.
 
“Së bashku me të gjithë në këtë qytet dhe këtë vend, vajtojmë për humbjen e njerëzve që u larguan nga kjo botë shumë herët.”, u shpreh Johannes Freitag, Ipeshkëv nga Graz-Seckau.
 
Policia në kërkim të motiveve pas vrasjes së 10 nxënësve
 
Policia ende po heton motivin e sulmuesit 21-vjeçar austriak, i cili pasi kreu aktin e përgjakshëm, i dha fund jetës së tij… Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij u gjet një letër lamtumire dhe një video që ia kishte lënë prindërve.
 
“Është gjetur një letër lamtumire në formë analoge dhe digjitale, ai i përshëndetet prindërve të tij, por nga letra nuk mund të nxirret ndonjë motiv, dhe kjo është objekt i hetimeve të mëtejshme.”, u shpreh Franz Ruf, drejtor i përgjithshëm për siguri publike.
 
Sulmuesi i armatosur ishte ish-nxënës i shkollës, armën e posedonte ligjërisht dhe nuk kishte pasur më parë ndonjë kallëzim penal. Mediat shkruajnë se ai e konsideronte veten viktimë të abuzimit, megjithëse policia nuk ka zbuluar hollësi. Ekspertët thonë se qasja në armë në vend është shumë e lehtë, mjaftojnë 21 vjet, qëndrim i përhershëm dhe dosje e pastër. Posedimi i armëve në Austri lejohet për disa arsye, përfshirë vetëmbrojtjen. Pas ditëve të zisë priten më shumë detaje.
 
ARMEND MURSELI