Maqedoni
Asnjë shqiptar mes 22 sportistëve të nderuarve, Mickoski: Vetëm ata me suksese Evropiane
11.06.2025 17:06
Qeveria e RMV-së ka shpërblyer 22 sportistë me mirënjohje kombëtare dhe pension të përjetshëm...

Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka shpërblyer 22 sportistë me mirënjohje kombëtare dhe pension të përjetshëm për fitore në Ligën e Kampionëve dhe Euroligë, por në mesin e tyre nuk kishte asnjë shqiptar. Kryeministri Hristijan Mickoski e justifikoi këtë me faktin se pensioni i përket vetëm atyre që kanë fituar gara të mëdha evropiane me klube. Sipas tij, në këto kategori nuk ka sportistë të tjerë që i plotësojnë kriteret.
“Këta janë sportistë që kanë arritur rezultate kulmore në klubet e tyre, në garat e klubeve, duke garuar në Evropë. Edhe atë ekskluzivisht flasim për Ligën e Kampioneve ose Euroligën në basketboll… Përveç këtyre që i patë sot nuk ka emra të tjerë që kanë fituar ligë të kampionëve ose Euroligë.”, u shpreh kryeministri Hristijan Mickoski.
Mickoski: Shqiptarët mbi 20% në sporte individuale
Mickoski sqaroi se në sportet individuale, përfaqësimi i shqiptarëve është mbi 20%, por në këtë rast bëhet fjalë vetëm për arritje me ekipe në Ligën e Kampionëve dhe Euroligë.
“Në sportet individuale. Rezultate të tilla kulmore kur me përqindje do të merret dhe që janë shpërblyer me këtë lloj të pensionit të përhershëm, 47% janë maqedonas, më shumë se 20% janë shqiptarë dhe të tjerët. Këtu ndoshta do të kritikojnë opozita tjetër, pse pra këtu ka pak maqedonas.”, u shpreh Mickoski.
Ndryshe, me çmimin kombëtar për arritje të larta në sport sot u nderuan Goran Pandev, Darko Pançev, Ilija Najdovski në futboll. Petar Naumoski, Pero Antiç në basketboll. Kiril Lazarov, Stojançe Stoilov, Vlado Nedanovski, Petar Angelov, Marko Kiziç, Marko Mishevski, Martin Popovski, Valentina Radulloviç, Elena Gjorgjievska, Indira Kastratoviç, Gordana Naceva, Mirjana Çupiç, Mileva Velkova, Anxhela Platon, Larisa Kiseljova, Elena Zlatanovska Muratovska, Klara Boeva në hendboll.
ERSAN PAJAZITI
