Rajon
Republika e Kosovës sot shënon 26 vjetorin e çlirimit
12.06.2025 14:04
Republika e Kosovës sot shënon 26 vjetorin e çlirimit....

Republika e Kosovës sot shënon 26 vjetorin e çlirimit. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani duke përcjellur urime për ditën e çlirimit tha se “në tokën e djegur të Kosovës para 26 vitesh zbarkoi shpresa” kur 50 mijë ushtarë të NATO-s hynë në vend, duke ndihmuar në çlirimin e një populli të shtypur ndër shekuj. Ajo vlerësoi edhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtarët e NATO-s e kthyen tmerrin në guxim dhe dhimbjen në shpresë. Në atë ditë historike, ata sollën dritë pas një errësire të gjatë dhe e bënë lirinë realitet. Pavarësisht përpjekjeve të armiqve të Kosovës për ta ndryshuar historinë, një histori e shkruar me gjak nuk mund të ndryshohet e as fshihet nga gënjeshtra të shkruara me laps. Kosova e lirë, e pavarur, demokratike, e përjetshme! Sepse përjetësinë ia dhanë dëshmorët e martirët e lirisë!”, shkruan presidentja Osmani.
Në ditën e Çlirimit kryeministri Albin Kurti ka bërë homazhe në kompleksin memorial Aden Jashari në Prekaz, te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova dhe te varri I veprimtarit të madh të çështjes kombëtare Aden Demaçi.
“Duke vënë lule të freskëta te varri i presidentit historik, Ibrahim Rugova, një kontribues i madh për unitetin e popullit dhe për ndërkombëtarizimin e Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi gjatë gjithë viteve të 90-ta dhe më pas presidentit të parë të Kosovës, më pas do të vazhdojmë edhe te varri i simbolit të rezistencës, Mandelës së shqiptarisë dhe Evropës, Adem Demaçi, për të vijuar me kompleksin Adem Jashari, duke shënuar kësisoj edhe gëzimin tonë për çlirim, por edhe kujtesën tonë për ata që punuan dhe sakrifikuan për shtetin që e ndërtojmë dhe e zhvillojmë sot.”, u shpreh kryeministri i Kosovës Albin Kurti.
Më 12 qershor të vitit 1999, pas bombardimeve ajrore të cilat detyruan kapitullimin e Serbisë, trupat paqeruajtëse të NATO-s, hynë në Kosovë, ndërsa trupat serbe u larguan përfundimisht nga Kosova. Kjo mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të mbi një milion refugjatëve, të vendosur kryesisht në Shqipëri dhe Maqedoni, por edhe në vendet e BE-së dhe SHBA, prandaj 12 qershori u shpall si Dita e çlirimit të Kosovës.
GYLTENE SINANI
