Maqedoni

Seanca pyetje deputetësh, Fronti kërkoi llogari për punësimet

12.06.2025 15:30

Punësimet e shqiptarëve në institucionet në fokus të deputetëve të opozitës shqiptare....

Punësimet e shqiptarëve në institucionet në fokus të deputetëve të opozitës shqiptare. Fronti Evropian kërkoi llogari nga Arben Fetai, zëvendës kryeministër për qeverisje të mirë, se kur do të finalizohet ligji për përfaqësim të drejtë, cili është ekipi i angazhuar pasi hodhi akuza për zero punësime të shqiptarëve në më shumë institucione.
 
“Njërën anë maqedonas sa të duash, në tjetrën anë shqiptarë zero, një, zero, një, dy. Këtë disbalans antikushtetues që po e realizoni ndoshta jo ju, por me aminin tuaj, duke premtuar tanimë një vit se do të vijë një ditë e mirë për ne, po na çon ne në humnerë.”, tha deputeti i Frontit Evropian, Ilir Hasani.
 
Fetai: Mospunësimet për faj të njeriut të Taravarit
 
Zëvendës kryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai me kundërakuza se me balancuesin ka abuzuar BDI, ndërkaq nuk kurseu as Taravarin, duke thënë se njeriu i tij ka penguar punësimet aktuale.
 
“Vonesat që kanë ndodhur në kuadër të planifikimit të punësimeve në sektorin publik kanë qenë pjesë e një plani i një skenari destabilizues për të shkaktuar revoltë dëshpërim, zhgënjim nga qytetarët e këtij vendi në raport me VLEN-in në veçanti, por edhe me qeverinë në tërësi. Komisioni kadrovik i cili bën planifikimin e punësimeve në nivel shteti është bojkotuar nga përfaqësuesi i zotit Taravari.”, u shpreh zëvendës kryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai.
 
Snopçe: Mickoski, sqarim për skemat e destabilizimit
 
Por deputeti i ASH-së krahu i Taravarit, Halil Snopçe, për çështjen e destabizilimit kërkoi sqarim me shkrim nga kryeministri, i cili sipas tij ka konfirmuar pretendimet e VLEN-it se BDI nëpërmjet Danella Arsovskës synon destabizilimin.
 
“Si po planifikohet ky destabilizim, pastaj në mënyrë plotësuese çka po ndërmerr Qeveria dhe ju si kryeministër për parandalimin e këtij destabilizimi dhe të ngjashme.”, tha deputet i ASH-së, Halil Snopçe.
 
Bytyqi: Lista partiake për kthimin e TVSH-së; Koçoska mohon pretendimet 
 
Seanca u përfshi edhe nga një përplasje verbale midis ministres së financave dhe deputetit Bytyqi pasi ky i fundit akuzoi se në shtabet partiake po bëhen lista prioritare të kompanive për kthimin e TVSH-së.
 
“Dikur kishim lista Svarovski, tani do të kemi ndonjë listë tjetër partiake për kthimin e TVSH-së dhe tani po bëhet një listë partiake për financimin e kompanive sipas këtij ligji.”, tha deputeti i LSDM-së, Fatmir Bytyqi.
 
“Sa i takon kthimit të TVSH-së, ju ftoj ta thoni jashtë foltores dhe më pas do t’iu padisë, pasi ktu nuk mund ta bëj meqë keni imunitet.”, tha ministrja e financave, Gordana Dimitrieska Koçoska.
 
Nuk munguan as kërkesat e opozitës për llogaridhënie sa i përket fatit të eurointegrimeve, në kohën kur Shqipëria pretendon anëtarësimin në vitin 2027-të.
 
MERALE ISMAILI