Maqedoni

Të lënduarit në tragjedinë e Koçanit do të rehabilitohen në qendrën turistike Ponikva

12.06.2025 16:02

Në linjën telefonike për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre nga tragjedia në Koçan janë lajmëruar 109 persona...

Në linjën telefonike për të gjithë të lënduarit dhe familjet e tyre nga tragjedia në Koçan, e cila hyri në funksion, janë lajmëruar 109 persona. Kërkesat e tyre kryesisht kanë qenë për shërbime shëndetësore, por nuk kanë munguar as kërkesat e natyrave të tjera. Numri i telefonit është i disponueshëm publikisht dhe është komunikim i drejtpërdrejtë i menaxhuar nga Zyra e Kryetarit të Qeverisë, njoftoi zëdhënësja Marija Miteva.
 
“Institucionet janë këtu, të hapura dhe me qëndrime të qarta. Të japim një pasqyrë të vërtetë bazuar në fakte. Linjën telefonike që e hapëm është vetëm njëra ndër mënyrat e komunikimit. Përveç kontaktit të drejtpërdrejtë me të lënduarin që kanë edhe në spital me grupin e punës, por edhe më Ministrinë e Shëndetësisë. Këto hapa nuk janë vetëm procedurë administrative, ky është detyrimi ynë. Të kthejmë dinjitetit çdo njeriu, pa politikë, pa senzacionalizëm, me sinqeritet dhe përkushtim.”, u shpreh zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva.
 
Në mbledhjen e Qeverisë u miratua edhe vendimi me të cilin qendra turistike Ponikva, që është në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme, të vihet në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë, përkatësisht për pacientët që tashmë janë në gjendje stabile por kanë nevojë për trajtim të mëtejshëm.
 
“Dua të përmend planin në lidhje me qendrën Ponivka, se ku e morëm idenë për rehabilitim fizik për muajt në vazhdim. Pra duhet t’i evitojmë temperaturat përvëluese dhe të evitohet kontakti direkt i diellit në lëkurë, prandaj lindi ideja për pushimoren e MPB-së Ponivka, që na kanë lëshuar në dispozicion për përdorim. Të bëhet ky rehabilitim në kushte pak më ndryshe, të bëhet risocializimi i tyre, t’u jepet mbështetje psikologjike dhe kjo planifikohet me aktivizimin e ekipeve mjekësore që do të jenë në dispozicion 24 orë.”, u shpreh drejtoresha e spitalit të Koçanit, Katerina Mirçovska.
 
Qendra Ponikva ka në dispozicion 27 dhoma dhe 56 shtretër ndërsa do të ketë edhe staf mjekësor shtesë për të ofruar kujdes të plotë shëndetësor për pacientët. Kjo do të thotë se personat e lënduar që kanë nevojë për mbrojtje shtesë shëndetësore do të mund të përfitojnë nga këto shërbime.
 
FARIJE DAUTI BAKIU