Maqedoni
Kazinot online, mbyllen 226 faqe të bixhozit
13.06.2025 14:19
Qeveria mbyll 226 faqe të bixhozit online, të cilat në mënyrë të paligjshme kanë ofruar shërbime të lojërave të fatit në vendin tonë....

Qeveria mbyll 226 faqe të bixhozit online, të cilat në mënyrë të paligjshme kanë ofruar shërbime të lojërave të fatit në vendin tonë. Zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti thotë se kjo betejë anti bixhoz nuk paraqet vetëm një shifër por një goditje e drejtpërdrejtë ndaj një rrjeti kriminal që për vite me radhë është toleruar të veprojë. Aktiviteti pritet të vazhdojë deri në zbulimin dhe mbylljen e të gjitha faqeve online.
“Deri dje BDI ndërtonte perandori bixhozi mbi varfërinë dhe dëshpërimin e shqiptarëve, sot VLEN po i rrënon këto perandori të krimit dhe po ndërton të ardhmen. Dua t’iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve, e sidomos të rinjve, mos bini pre e imejllave mashtrues, mos luani me fatin tuaj në platformat ilegale. Nëse keni mjete të depozituara në këto faqe, tërhiqni ato sa më shpejtë. Shteti po vepron dhe këto platforma nuk do të ekzistojnë më.”, u shpreh zëvendës kryeministri i parë Izet Mexhiti.
Mexhiti tha se kah fundi është edhe ligji për lojrat e fatit, i cili për 70% do të jetë më rigoroz.
Përfaqësimi i shqiptarëve në institucione, VLEN: 38 shqiptarë punësohen në librat amë
Nga koalicioni VLEN kanë informuar edhe për punësimin e 38 shqiptarëve në Drejtorinë e Librave Amë.
“Punësimet e qytetarëve tanë tashmë kanë filluar, ky hov nuk ndalet dot. Bllokadat e sponsorizuara nga BDI përmes Taravarit morën fund. Tani çdo ditë e më shumë rritet numri i shqiptarëve që po punësohen në institucione të shumta. Po me këtë ritëm do të vazhdojmë akoma. Ne punësojmë sepse qytetarët tanë janë të aftë për të punuar. Punësimet tona nuk bëhen me kushtëzime e mito, por mbi bazën e meritës dhe parimit që njeriu i duhur në vendin e duhur.”, thonë nga koalicioni VLEN.
Punësimi i 38 shqiptarëve, ASh: Nuk mbulohet dielli me shoshë
ASH e Arben Taravarit konsideron se 38 punësimet nuk mbulojnë largimin e 800 shqiptarëve nga puna.
“Të dhënat janë të qarta dhe alarmante. Vetëm në javën e fundit:
• Në Agjencinë për Ushqim dhe Veterinari u punësuan 21 maqedonas dhe asnjë shqiptar.
• Në NP “Pyjet e Maqedonisë” – Strugë, 11 shqiptarë u pushuan nga puna.
• Në Policinë e Tetovës, u pranuan 12 maqedonas dhe vetëm 1 shqiptar.
• Në Ministrinë e Financave u punësuan 19 maqedonas deh asnjë shqiptarë.”, thonë nga ASH krahu i Taravarit.
Aleanca për Shqiptarët kërkon hetim të pavarur për rastet e punësimeve dhe largimeve nga puna mbi baza etnike si dhe përfshirje të përfaqësuesve ndërkombëtarë në monitorimin e barazisë në punësim.
MERALE ISMAILI
