Rajon
Dështon 31 herë konstituimi i Kuvendit, LDK insiston për qeveri të unitetit
13.06.2025 14:44
Dështoi edhe përpjekja e 31-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi partitë politike nuk lëvizin nga qëndrimet...

Dështoi edhe përpjekja e 31-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, pasi partitë politike nuk lëvizin nga qëndrimet. LDK insistoi për formimin e qeverisë së unitetit me afat 10 mujorë, për çka kanë propozuar edhe një plan 15 pikësh.
“E kemi një kuvend jo funksional, një qeveri pa legjitimitet, ndërkohë që nuk ka as edhe një lëvizje që të dilet nga kjo krizë institucionale. Si LDK ne e shohim me shqetësim situatën politike në të cilën jemi prandaj edhe kemi dalur me propozimin tonë. Një plan i menduar mire që të dilet nga kjo krizë duke marr të gjithë përgjegjësitë konform fuqisë politike që kanë.”, tha Ekrem Hyseni nga LDK.
Vetëvendosje: Propozimi i LDK-së për qeveri të unitetit jo serioz
Propozimin e LDK-së e konsideron jo serioz Lëvizja Vetëvendosje.
“Nuk e propozojmë ne arsyen e propozimit të një qeverie të unitetit. Zakonisht me njohuritë tona, propozimet e tilla për qeveri të unitetit bëhen në situate të jashtëzakonshme, kur ka ndonjë rrezik të madh për vendin tone, qoftë i jashtëm apo i brendshëm që kërkon një veprim të tillë. Prandaj pyetja që shtrohet është kjo, ku po e sheh LDK-ja rrezikun e tillë në Kosovë. Konsideroj se ai plan nuk është serioz dhe natyrisht nuk do ta ketë miratimin tonë.”, u shpreh Artan Abrashi nga Lëvizja Vetëvendosje.
Krasniqi: Me votat e LDK-së opozita e formon qeverinë
Propozimi I LDK-së nuk gjen mbështetje as nga PDK-ja opozitare. Kjo parti kërkon mbështetjen e LDK-së për formimin e Qeverisë nga opozita e deritanishme.
“Vetëm 19 votat e LDK-së, un i bëj të gjitha tjerat dhe bëhemi 61. Matematikën e dini edhe ju edhe unë edhe secili, partitë e ish opozitës e bëjnë 61-shin.”, u shpreh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Haradinaj: Iniciativa e LDK-së është e mirë
AAK iniciativën e LDK-së e vlerëson si pozitive, pasi opozita nuk i ka numrat për ta formuar qeverinë.
“Nëse nuk i kanë numrat unë nuk e di se cila do të jetë ajo zgjidhje, por gjithmonë duhet me e vlerësu tendencën për me e zhblloku situatën çfarë e kemi. Mendoj që është iniciativë e mirë.”, u shpreh Daut Haradinaj nga AAK.
Përpjekja e radhës për ti dhënë zgjidhje konstituimit të Kuvendit të Kosovës pritet të bëhet pas 48 orësh, përkatësisht me 15 qershor.
GYLTENE SINANI
