Maqedoni

Tragjedia në Koçan, PThP: Aktakuzë ndaj 34 personave fizik, 3 juridik

13.06.2025 15:37

Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë kundër 34 personave fizik dhe 3 personave juridik...

Prokuroria Publike ka ngritur aktakuzë kundër 34 personave fizik dhe 3 personave juridik për rastin me tragjedinë në diskotekën në Koçan ku humbën jetën 62 persona dhe mbi 200 të tjerë u lënduan. Sipas Prokurorisë procedura është ndërprerë për 11 persona në mesin e të cilëve 2 ish ministra të ekonomisë pa dashur të precizojnë se për kë bëhet fjalë ,për një person që është në mjekim shëndetësor procedura është ndalur, ndërsa 1 i dyshuar ka ndërruar jetë. 
 
PThP: Për 11 persona procedura ndërpritet
 
Kocevski theksoi se procedura ndaj 11 personave është ndërprerë për shkak se prokuroria nuk ka arritur të sigurojë dëshmi se të njëjtit janë të përfshirë në rastin tragjik, ndërsa kjo sipas tij nuk përjashton mundësinë që në të ardhmen nëse prokuroria posedon dëshmi ti përfshijë sërisht në hetim. Tre të akuzuar janë udhëheqësi  dhe pronarët e diskotekës "Puls" të cilët kanë rinovuar objektin me mjetë lehtë të djegshme edhe pse të vetëdijshëm se nuk i posedojnë licencat dhe lejet e nevojshme. Nuk kanë mbajtur evidencë për daljet emergjence dhe mbrojtjen nga zjarri.
 
Prokuroria kërkon faj edhe nga inspektorët e ndërtimit që sipas tij nuk kanë ndërmarrë asnjë procedurë zyrtare për të konstatuar shkeljet. Mosveprim është konstatuar edhe nga Komunat dhe arkitektja. E përfshirë në akuzë është edhe Drejtoria për mbrojtje dhe Shpëtim, inspektorë të tregut dhe persona të tjerë të punësuar në Ministrinë e Ekonomisë.
 
Prokuroria fajëson edhe Sigurimin Privat që ka vepruar me mungesë të planit në situate krize dhe persona të punësuar pa licencë, duke lejuar stërmbushjen e diskotekës përtej normave të parapara. Tragjedia sipas Kocevskit është si pasojë e mos respektimit të ligjeve dhe rregulloreve nga ana e institucioneve shtetërore dhe firmave private që është dashur të kujdesen për sigurinë e njerëzve. 
 
“Të akuzuarit – pesë zyrtarë shtetërorë, një sekretar shtetëror dhe dy ministra – nuk kanë vepruar fare sipas dispozitave ligjore apo rregullave teknike për masat e mbrojtjes të përcaktuara në nenet 6, 20, 21-b dhe 56 të Ligjit për veprimtari hotelierike, në lidhje me nenin 32 paragrafi 3 të Ligjit për mbikëqyrje inspektuese. Ata në mënyrë të vazhdueshme kanë lëshuar licenca për ushtrimin e veprimtarisë hotelierike – kabare – për objektin “Kabare PULSE” në Koçan, edhe pse, sipas nenit 31 të Rregullores për kushtet teknike minimale për ushtrimin e veprimtarisë hotelierike, objekti gjatë gjithë kësaj kohe i përkiste kategorisë së një klubi diskotekë, pa i plotësuar kushtet teknike minimale të përcaktuara me Ligjin për veprimtari hotelierike.”, u shpreh kryeprokurori Lupço Kocevski.
 
Arrestohen 13 zyrtarë policorë
 
Kocevski konfirmoi se mbrëmë janë arrestuar edhe 13 zyrtarë policorë nën dyshimin se kanë kryer vepra të rënda penale kundër sigurisë së përgjithshme. Ai sqaroi se 13 zyrtarë policorë, si bashkëkryes të veprës, nuk kanë vepruar sipas rregulloreve për masat e mbrojtjes. Ata kanë miratuar një plan për kontroll të objekteve hotelierike në rajonin e Stacionit Policor të Koçanit, pa verifikuar nëse plani përfshin të gjitha kontrollet që janë në kompetencë të MPB-së dhe nëse janë respektuar dispozitat e procedurave operative standarde për vlerësimin dhe menaxhimin e rrezikut gjatë kryerjerjes së detyrave policore. Kocevski, shtoi se punonjësit e policisë, duke mos parandaluar ndezjen e mjeteve piroteknike, nuk kanë ndërmarrë masa as për mbrojtjen e personave të pranishëm në diskotekën "Puls", ku, për shkak të kushteve të papërshtatshme të punës gjatë kontrollit aksionar, ka shpërthyer zjarr. Kocevski nuk dha detaje nëse në këtë grup është edhe zyrtari policore për të cilin opozita pretendon se kanë mbyllur derën e diskotekës.
 
“Në rastin konkret ekziston bazë dyshimi se në periudhën nga 14 mars 2025 deri më 16 mars 2025, në territorin e SPB – Shtip, të dyshuarit, si persona zyrtarë, kanë kryer vepra të rënda kundër sigurisë së përgjithshme. Sipas këtij Plani, i cili ishte hartuar mbi bazën e planeve të mëparshme pa asnjë ndryshim, është vepruar edhe më 16 mars 2025, në një vend ku ishte mbledhur një numër i madh njerëzish – në kabarenë “Puls”. Gjatë kontrollit, nuk janë ndërmarrë masa për të parandaluar aktivizimin e pajisjeve piroteknike në skenë, ku po performonte grupi muzikor “DNK”. Ndezja e kësaj piroteknike nuk ishte e paraqitur në Stacionin Policor – Koçan, dhe si pasojë e saj ka shpërthyer zjarr në diskotekën “Puls”.”, u shpreh Kocevski.
 
Aktualisht të dyshuar janë 27 zyrtarë policorë, 14 prej tyre tani më në hetim. Në këtë fazë të procedurës nuk mund të jepen më shumë detaje për shkak të veprimit të prokurorit publik. Prokuroria ndaj të dyshuarve propozon masa kujdesi.
 
FLORIJE BELULI KAMBERI