Botë

Izraeli sulmon Iranin, Netanyahu: Sulmohen objektet bërthamore

13.06.2025 15:54

Izraeli ka sulmuar me më shumë se 200 avionë luftarakë dhe mbi 330 fluturake pa pilot...

Izraeli ka sulmuar me më shumë se 200 avionë luftarakë dhe mbi 330 fluturake pa pilot, objektet bërthamore iraniane dhe fabrikat e raketave balistike. Më shumë se 20 komandantët ushtarakë u vranë, përfshirë Gjeneralin Mohammad Bagheri. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi këtë veprim si një hap të domosdoshëm për të përballuar atë që e quajti kërcënim serioz ndaj sigurisë së Izraelit, duke shtuar se operacioni do të vazhdojë deri në përmbushjen e objektivave të tij. 
 
“Jemi në një moment vendimtar për historinë e Izraelit. Operacioni ‘Forca e Luanit’ është zhvilluar. Pilotët tanë trima po godasin një sërë objektivash në të gjithë Iranin. Qëllimi i këtij operacioni të pashembullt është goditja e infrastrukturës bërthamore të Iranit, fabrikave të raketave balistike dhe kapaciteteve të tjera ushtarake. Ky operacion do të vazhdojë për aq kohë sa është e nevojshme, derisa ta përmbushim misionin, ta ndalim kërcënimin e shfarosjes që qëndron pezull mbi ne.”, tha Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
 
Katz: Ta pengojmë Iranin të sigurojë armë bërthamore
 
“Irani është më i vendosur se kurrë për të realizuar vizionin e tij për shkatërrimin e Izraelit. Jemi në një pikë kritike, nëse nuk e arrijmë, nuk do të kemi asnjë mënyrë për ta parandaluar Iranin të sigurojë armë bërthamore që kërcënojnë ekzistencën tonë. Ne jemi marrë me përfaqësuesit e Iranit gjatë një viti e gjysmë, por tani po merremi me vetë kokën e gjarprit.”, ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz.
 
Autoritetet iraniane: Do të hakmerremi ndaj Izraelit
 
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian, në një fjalim drejtuar kombit, ka paralajmëruar se përgjigjja do të ishte legjitime dhe e fuqishme, pas sulmit izraelit. “Përgjigja do ta bëjë Izraelin të pendohet për aktin e tij të pamend”. 
 
Edhe Lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, paralajmëroi se Izraeli do të përballet me pasoja të rënda për shkak të këtyre sulmeve.
 
“Me këtë krim, regjimi sionist i ka përgatitur vetes një fat të hidhur dhe të dhimbshëm dhe do ta marrë atë pa dyshim”, tha Khamenei. 
 
Irani po ashtu ka kërkuar takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara  lidhur me sulmet e Izraelit. Në disa qytete kryesore të Iranit janë regjistruar protesta masive. Qytetarë të zemëruar kanë dalë në rrugë duke kërkuar që qeveria të ndërmarrë veprime hakmarrëse kundër Izraelit. Irani u përgjigj duke i lëshuar dhjetëra dronë dhe raketa ndaj objekteve izraelite. 
 
Trump: Irani të pranojë marrëveshjen bërthamore
 
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka bërë thirrje Iranit që të arrijë marrëveshje mbi programin e saj bërthamor me SHBA-në, duke shtuar se ka ende kohë për të shmangë konfliktin me Izraelin. Do ta mbrojmë Izraelin nëse është e nevojshme ka thënë Trump.
 
“Ka pasur tashmë shumë vdekje dhe shkatërrim, por ende ka kohë që kjo masakër, me sulmet e ardhshme tashmë të planifikuara që do të jenë edhe më brutale, të marrë fund.”, ka shkruar presidenti amerikan në rrjetin social “TruthSocial”. 
 
ANEA: Izraeli ka shkelur parimet e kartës së OKB-së 
 
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike konfirmoi se një objekt pasurimi uraniumi ishte midis objekteve të sulmuara. Sipas drejtorit Rafale Grosi, Izraeli ka shkelur parimet e kartës së Kombeve të Bashkuara, me sulmet e objekteve bërthamore, të cilat rrezikojnë jetët e njerëzve por dëmtojnë edhe ekosistemin. 
 
“Ky zhvillim është thellësisht shqetësues. Kam deklaruar vazhdimisht se objektet bërthamore nuk duhet të sulmohen kurrë, pavarësisht nga konteksti ose rrethanat, pasi kjo mund të dëmtojë si njerëzit ashtu edhe mjedisin. Sulme të tilla kanë implikime serioze për sigurinë, mbrojtjen dhe mbrojtjet bërthamore, si dhe për paqen dhe sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i ANEA-s, Rafael Mariano Grossi.
 
Turqia: Të reagohet ndaj qasjes së Izraelit
 
Hapësira ajrore e Iranit, Irakut, Izraelit dhe Jordanisë është plotësisht e mbyllur. Turqia ka kërkaur nga bashkësia ndërkombëtare të reagojë ndaj qasjes së Izraelit.
 
“Izraeli po kërkon paqëndrueshmëri. Edhe një herë, ne ftojmë bashkësinë ndërkombëtare të reagojë ndaj qasjes së Izraelit, e cila nuk njeh kufij, ligj dhe vlera njerëzore. Stabiliteti dhe diplomacia duhet të fitojnë.”, tha zëvendës president i Turqisë, Xhevdet Jilmaz.
 
Edhe Udhëheqësit tjerë botërorë nga Australia, Zelanda e re, Norvegjia dhe vende të tjera kanë shprehur shqetësimin e tyre për përshkallëzimin e situatës. Ata bëjnë thirrje për qetësi.
 
FARIJE DAUTI BAKIU