Rajon

Tirana në qendër të diplomacisë rajonale mirëpret liderët e 13 shteteve të rajonit

16.06.2025 12:21

Shqipëria është sot mikpritëse e Ministrialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP)..

Shqipëria është sot mikpritëse e Ministrialit të Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), një ngjarje me rëndësi të lartë diplomatike për rajonin. Tirana mban kryesimin e radhës së SEECP-së për periudhën korrik 2024 - qershor 2025, pas Maqedonisë së Veriut, ndërsa stafetën e drejtimit do ta marrë më pas Bullgaria.
 
Presidenti Begaj pritet të zhvillojë takime të veçanta me homologë dhe liderë rajonalë, në funksion të thellimit të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të SEECP-së. Në përmbyllje të samitit, presidenti Begaj do t’i dorëzojë zyrtarisht kryesimin homologut të tij bullgar, Rumen Radev. Po ashtu, një deklaratë për shtyp do të mbahet nga Begaj, presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, dhe presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev. Gjatë presidencës së saj nën moton “Formësimi i së ardhmes sonë evropiane”, Shqipëria ka kontribuar në forcimin e bashkëpunimit rajonal, nxitjen e Tregut të Përbashkët Rajonal dhe avancimin e procesit të integrimit evropian. Që prej themelimit të saj në vitin 1996 në Sofje, ky forum ka synuar ndërtimin e një rajoni të qëndrueshëm, paqësor dhe të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike.